Behrami, investim i mirë për Fiorentinën

Transferimi i Valon Behramit në Fiorentina, sipas medieve italiane, është vetëm çështje orësh. Klubi Viola është në ‘pole position’ për ta blerë futbollistin kosovar, i cili ditë më parë shihej shumë pranë Romës.
25 vjeçari, për të cilin thuhet se ka arritur marrëveshje me drejtuesit e Fiorentinës, pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare, derisa klubi nga Firenze do t’ia paguajë West Hamit 4-5 milionë euro.
Menjëherë pas këtyre lajmeve kanë arritur edhe lëvdatat në drejtim të përfaqësuesit zviceran. Ish shoku i tij i skuadrës te West Ham, Alessandro Diamanti, që në të kaluarën ishte pjesë e Fiorentinës, thotë se Behrami është njëri prej lojtarëve më të mirë me të cilët ka luajtur ndonjëherë.
“Është një lojtar i rëndësishëm, ndër më të fortët me të cilët kam luajtur, edhe pse nuk e kanë lënë rehat lëndimet. Nëse Behrami arrin me të vërtetë në Fiorentinë, atëherë klubi Viola ka bërë një përforcim të madh”, deklaroi Diamanti, që tash luan në Brescia.
Ndërkohë, ish mbrojtësi i Fiorentinës, Daniele Carnasciali thotë se Behrami kushton pak dhe është një investim i shkëlqyeshëm. “Behrami do të ishte një përforcim i mirë sepse jo gjithmonë duke shpenzuar pak mund të gjesh lojtarë të shkëlqyeshëm”, nënvizoi Carnasciali.
Walter Sabatini ishte njeriu që e kishte sjellë Valon Behramin në Lazio në vitin 2005 nga Verona. Ish drejtori sportiv i Palermos ka ndarë fjalë të çmueshme për përfaqësuesin zviceran, që duket të jetë shumë afër kalimit në Fiorentinë.