E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daja n’ Prishtinë

Pas 25 vjetësh Daja sërish ka zbritur në Kosovës, ku me sukses kishte drejtuar Prishtinën gjatë viteve 83 - 85. Është i gatshëm ta udhëheqë sërish ndonjë skuadër kosovare, derisa premton se do ta sjellë Sarajevën në Kosovë. Nuk ka shumë njohuri për futbollin kosovar, por këshillon që të investohet dhe të punohet më shumë me të rinjtë. Ish trajneri i Prishtinës dhe i Bosnje e Hercegovinës, Fuad Muzuroviç, flet për Express. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 07 janar 2011 në ora 12:05

Me siguri se nuk e keni harruar Fuad Muzuroviçin. Për gjeneratat e reja ky emër mund të jetë i panjohur, por për njerëzit që e kanë përcjellë Prishtinën e viteve të arta, Muzuroviç është shumë i njohur.

Trajneri boshnjak, i cili drejtoi Prishtinën në vitet 1983-1985, të enjten ka qëndruar në Kosovë me ftesë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku mori pjesë në shpalljen e laureatëve për vitin që e lamë pas.

Daja i Prishtinës, siç e quajnë Muzuroviç në vendin tonë, e ka vizituar Kosovën pas 25 vjetësh. Edhe pse thotë se nuk ka njohuri të mjaftueshme për futbollin kosovar, trajneri boshnjak ka dhënë këshilla se si duhet të ecë përpara futbolli i këtushëm.

“Objektivisht nuk i di gjërat, por them se fillestare është që Kosova të pranohet në Kombet e Bashkuara e më pas do të lëvizte edhe FIFA e UEFA. Por, sa i përket gjërave të brendshme, çka është e rëndësishme është se duhet të investohet sa më shumë dhe të punohet më shumë me të rinj dhe t’u besohet më shumë trajnerëve. Kam dëgjuar se këtu ndërrohen shpesh trajnerët, kjo nuk është gjë e mirë. Duhet t’u besohet më shumë shtabeve teknike, duhet t’u jepet më shumë liri trajnerëve”, deklaroi ai.

“Pastaj duhet të organizohen kampe që të bëhet seleksionimi i lojtarëve, sepse keni talentë. Por, mbi të gjitha duhet të keni durim, pasi që asgjë nuk bëhet brenda natës”, tha Muzuroviç.

Aktualisht, trajneri boshnjak është në pension, por ai insiston se ende nuk ka hequr dorë nga futbolli. Ai së fundmi e ka udhëhequr përfaqësuesen e Bosnje e Hercegovinës, por deklaron se, edhe nëse kthehet, më nuk do ta bëjë një gjë të tillë në vendlindje. Pse jo edhe në Kosovë...

“Jam në pension, por s’i kam thënë lamtumirë futbollit. Në shprehje mund të vijë edhe ndonjë klub kosovar, pse jo. Këtu kam kaluar mirë dhe mendoj se do të kaloja edhe më mirë tash”, vazhdoi ai.

Muzuroviç zbulon se në të kaluarën kishte planifikuar që ta sillte në Kosovë ekipin e Sarajevës, por pa rezultat. Mirëpo, dëshira e tij ende nuk është shuar. “Mund të zhvillohet një ndeshje miqësore në mes të Prishtinës dhe Sarajevës. Këtë do të mundohem ta bëj. Në jetën time kam qenë pjesëmarrës në më shumë se 100 ndeshje humanitare në vende të ndryshme botërore, njëjtë do të vepronim edhe në këtë rast”, thotë ish trajneri i Prishtinës.

Muzuroviç kujton me ëndje periudhën kur e udhëhoqi Prishtinën. Ai konsiderohet si trajneri më i suksesshëm që ka pasur ndonjëherë ekipi bardhekaltër. Me të, prishtinasit luanin në ligën e parë të ish-Jugosllavisë dhe morën pjesë për herë të parë në gara evropiane në Kupën e mesme të Evropës.

“Pastaj kemi zhvilluar dy ndeshje me Japoninë, të cilën e patëm mposhtur 2:1 e 3:2. Objektivisht, nëse i analizojmë këto rezultate, del që realisht kam qenë i suksesshëm”, shton ai.

Muzuroviç kujton mbi të gjitha fitoren ndaj Crvena Zvezdës në Beograd, si më të madhen që e arriti me ekipin prishtinas. Boshnjaku shton se Prishtina mund të arrinte edhe më shumë, por i ishin bërë padrejtësi të shpeshta në ligën ish-jugosllave.

Muzuroviç, i cili e ka udhëhequr edhe Sarajevën, të cilën e kishte shpallur nënkampion të ish-Jugosllavisë, vite më parë ka qenë iniciator i ftesës së ekipit të Prishtinës në Sarajevë në një turne të futbollit të vogël, për nder të festës së Kurban Bajramit.

Veterani i futbollit premton se kjo nuk do të jetë hera e fundit që e viziton Kosovën. Ai e shijoi këtë vizitë, duke takuar shumë miq të tij, të cilët nuk i harron kurrë. Ndoshta në të ardhmen do të vijë zyrtarisht, duke e marrë në dorë ndonjë klub kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›