E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita intime



Kush e di si do ta ketë përshkruar fundin e karrierës në ditarin e saj “intim” të hapur që në vogëli. T’i japësh fund një karriere të gjatë artistike, e cila ka përshkruar rrugën e rreth shtatë dekadave, emrit që nuk i ka munguar jetës së gjallë aktoreske shqiptare. Ky është vendimi i aktores Drita Pelingu. Edhe pse në një moshë të thyer tashmë, ku gjendja shëndetësore është sinonimi i murit të pakapërcyeshëm, ka marrë përsipër t’i japë lamtumirën e fundit skenës shqiptare, shtëpisë së dytë, siç e konsideron ajo, teatrin. “Rouz” është monodrama që 82-vjeçarja Pelingu do të luajë sonte në mbrëmje në Teatrin Kombëtar, nën kujdesin regjisorit Bujar Alimani

Drita intime

Kush e di si do ta ketë përshkruar fundin e karrierës në ditarin e saj “intim” të hapur që në vogëli. T’i japësh fund një karriere të gjatë artistike, e cila ka përshkruar rrugën e rreth shtatë dekadave, emrit që nuk i ka munguar jetës së gjallë aktoreske shqiptare. Ky është vendimi i aktores Drita Pelingu. Edhe pse në një moshë të thyer tashmë, ku gjendja shëndetësore është sinonimi i murit të pakapërcyeshëm, ka marrë përsipër t’i japë lamtumirën e fundit skenës shqiptare, shtëpisë së dytë siç e konsideron ajo, teatrin. “Rouz” është monodrama që 82-vjeçarja Pelingu do të luajë sonte në mbrëmje në Teatrin Kombëtar nën kujdesin e regjisorit Bujar Alimani, që koinçidon edhe si njëri nga të shumtit studentë të saj. “E mora këtë vendim sepse çdo fillim ka edhe një fund, e për këtë mendoj se tashmë ka ardhur koha që t’i jepja fund karrierës sime artistike. Po në të njëjtën mënyrë kam menduar edhe për teatrin. Si një artist, ashtu edhe një njeri me një profesion tjetër nuk duhet të presë dështimin për t’u larguar nga terreni i tij përkatës. Mua nuk do më pëlqente aspak ky lloj fundi”, - shprehet e bindur aktorja. Ajo ka mbledhur të gjitha energjitë që disponon, për të mos iu trembur aspak qerpiku, teksa do të na tregojë eksperiencën e saj të fundit. Gjatë një interviste, nuk kursehet të na tregojë parimin që e ka ndjekur që në fillesat e para të jetës autoriale, duke thënë se “çdo premierë që kalon për mua është një provim. Sa më tepër kalon mosha, ky provim është shumë herë më i vështirë”. Por, sa e lehtë ishte për të t’i thoshte “stop” rolit të saj në jetën aktive teatrore, kinematografike, apo edhe si pedagoge në Akademinë e Arteve të Bukura? Ku do të përqendrohet tani, ditët që do të pasojnë? Në ditarin e saj personal tani s’do të shkruaj më mbi rolet interpretative.

Monodrama “Rouz” do të shënojë shfaqjen tuaj të fundit në karrierën tuaj prej rreth shtatë dekadash. A mund të na tregoni diçka më tepër?

Po, kam vendosur që të jap dorëheqjen nga jeta ime artistike. Edhe në Akademinë e Arteve si pedagoge, aty ku kam ndarë me studentët e mi 33 vjet, para gjashtë muajsh kur ishte provimi im i fundit, unë jam paraqitur para eprorëve dhe deklarova dorëheqjen time përfundimisht. E mora këtë vendim, sepse çdo fillim ka edhe një fund, e për këtë mendoj se tashmë ka ardhur koha, që t’i jepja fund karrierës sime artistike. Po në të njëjtën mënyrë kam menduar edhe për teatrin. Si një artist, ashtu edhe një njeri me një profesion tjetër nuk duhet të presë dështimin për t’u larguar nga terreni i tij përkatës. Mua nuk do më pëlqente aspak ky lloj fundi. Po ashtu, një faktor tjetër shumë i rëndësishëm në këtë vendim ishin edhe fuqitë e mia shëndetësore, edhe pse më monodramën time i kam mbledhur të gjitha forcat e mia për ta përballuar, sepse gjendjen time e njoh vetëm unë, e askush tjetër. Kështu që në këtë sens jam e sigurt në përballjen me skenën.

Monodrama është cilësuar si gjinia më e vështirë e aktrimit, ndërkohë që sot ju jeni 82 vjeç. A jeni ndoshta pak skeptike kundrejt kësaj iniciative?

Unë nuk kam frikë, por kjo ndjenjë konsiston më tepër se si e kam sjellë unë “Rouz” në skenë. Unë nuk mund të bëhem gjykatëse e vetvetes sime, është vetë spektatori dhe gjykimi juaj (media), ai që nxjerr këtë përfundim. Por unë e dua shumë dhe çdo premierë që kalon për mua është një provim. Sa më tepër kalon mosha ky provim është shumë herë më i vështirë. Por cila do të ishte arsyeja e kësaj vështirësie, sipas meje? Sepse përgjegjësia është edhe më e madhe, pasi në fund të fundit në 62 vitet e karrierës sime, kam krijuar një emër dhe nuk dua që këtë identitet ta prish në finalizimin e saj.

Një monodramë prej më shumë se një orë në skenë. Për të sjellë këtë rol prej “monodrame”, kërkohet më tepër energji, apo kapacitet?

I kërkon të gjitha. Kjo monodramë kërkon energji patjetër, por gjithashtu kërkon edhe një kapacitet jo vetëm të talentit, i cili as nuk diskutohet, por për të është shumë i nevojshëm edhe intelekti, me qëllim që të bëjë copëzimin e kësaj vepre. Kjo nuk është një shfaqje që bën një apel për luftën kundër një fenomeni të caktuar. Në rastin tonë, personazhi im ka shfrytëzuar veprimet e saj për të transmetuar ato çfarë ajo kërkon dhe jo fjalën. Këtë gjë ajo e vërteton, edhe pse është përballë ngjarjeve nga më të vështirat, ka treguar një respekt të jashtëzakonshëm për veten e saj, sidomos kur kujdeset për aparencën, duke lyer flokët me fije të arta.

Sa kohë iu ka marrë ky rol për ta “pjekur” plotësisht, duke marrë parasysh edhe gjendjen tuaj shëndetësore, moshën?

Ky rol më ka marrë rreth gjashtë muaj. Por unë e kam punuar rolin edhe përpara se të vinte Bujari. Këtë metodë e kam ndjekur në të gjitha rolet e mia, por sa më tepër kalon koha aq më shumë “piqet” edhe aktori. Ndoshta, edhe puna me studentët më ka ndihmuar shumë. Për të “pjekur” këtë rol nuk ka qenë farë punë interpretative. Por ka qenë një punë që në mendjen time ishte vetëm zbërthimi i copëzave të ngjarjeve, pasi siç e theksova ka me dhjetëra ndodhi në brendësi të saj. Puna ime në këtë rast ka qenë renditja më e përsosur e këtyre ngjarjeve, sipas rëndësisë, ashtu siç e kam menduar unë.

Çfarë do të shtonit për rolin juaj në këtë monodramë?

Është një rol shumë interesant, një rol i cili i përket një niveli të lartë artistik. Personazhi është një grua hebre në moshën 80 vjeç, e ndoshta edhe pak më tepër dhe mbart në vetvete ngjarjet më të rëndësishme të shekullit XX. Të gjitha këto ngjarje dramatike, Rouz nuk i thajnë shpirtin, nuk i ndrydhin ndjenjën, por përkundrazi ato i zhvillojnë intelektin dhe bëjnë që të ngrihet në një zë të fuqishëm. Është zëri i nënës, zëri i gruas, e cila merr masat e një kambane të fortë në luftë kundër dhunës, kundër gjakmarrjes apo hakmarrjes. Në këtë drejtim kjo është vetëm njëra anë e saj, ndërsa në anën tjetër ajo do të paraqesë botën e saj intime. Ajo ka lindur për ta jetuar jetën, për të gëzuar dashurinë në kuptimin e gjerë të fjalës, por fati nuk i buzëqesh aq sa duhet. Kjo për arsye se të gjitha këto pasuri asaj i shkatërrohen dhe përsëri Rouz mbetet një grua. Me gjithë dramaticitetin e madh të ngjarjeve që ndodhin në momente të caktuara është një femër. Megjithatë, nëpërmjet kujtesës së gruas së moshuar, e cila është në moshën time, u rikthehet kohëve të bukura të dashurisë, që e rinon si dhe zbut në këtë mënyrë edhe ngjarjet dramatike të veprës. Pra, me pak fjalë figura e Rouz transmetohet me këto dy anë, që unë e kam quajtur një mozaik ngjyrash.

Sot, janë studentët tuaj ata që po ju drejtojnë në rolet e regjisë dhe të skenografisë. Cili do të ishte mendimi juaj në këtë rast?

Po është e vërtetë. Që të tre janë studentët e mi, si regjisori Bujar Alimani, asistentregjisori, Mikel Kalemi apo skenografi Klajdi Ymeri. Kjo është një kënaqësi shumë e madhe për mua. Gjithnjë më ka shoqëruar një dëshirë e madhe që studentët e mi të ma kalojnë. Unë kam korresponduar shumë mirë me regjisorin Alimani dhe kuptohemi goxha mirë me njëri-tjetrin. Çdo gjë që kam bërë, jam konsultuar më parë me të. Sepse sa do i mirë që të jetë aktori, po doli jashtë platformës regjisoriale, nuk mundet, ai e ka shkatërruar veprën. Mendoj se ishte i domosdoshëm ky lloj unifikimi mes nesh, si me regjisorin, ashtu edhe me skenografin dhe asistentregjisorin.

Ky nuk është bashkëpunimi i parë me studentët...

Nuk është bashkëpunimi i parë për mua me studentët e mi. Gjashtë muaj më parë kam xhiruar një film me metrazh të shkurt, i cili titullohet “Përvjetori i martesës”, me regji të Artan Malajt, sërish një student i imi, i cili më besoi edhe rolin kryesor. Po kështu studentë të tjerë më kanë propozuar edhe një tjetër rol për një film në Greqi, një ndodhi para tre apo katër vitesh. “Qyteti i nëndheshëm” ishte i titulluar filmi, por kësaj herë regjisori nuk ishte studentë, e aq më tepër një shqiptar, por ishte një grek. Ndërkohë që mënyra se si u ndodha unë në atë mes erdhi nga rekomandimi i studentëve të mi, të cilët për një rol kryesor i sugjeruan emrin tim. Ai fillimisht kërkoi nga unë një informacion paksa të detajuar mbi eksperiencën time profesionale, e cila u përgatit me shumë mjeshtëri nga televizioni shqiptar, një material i cili e bindi atë për të aprovuar kërkesën e studentëve të mi.

Si ka ardhur kjo lidhje kaq e ngushtë me ta?

Është ajo lidhja e madhe që unë kam gjithnjë me studentët e mi. Po të vini në shtëpinë time, do të shikoni më dhjetëra dhurata simbolike nëpër këndet e saj, shënime të ndryshme etj. Shumë prej tyre më janë dhuruar, pasi studentët e mi kanë dalë në jetë. Madje, këtij relacioni unë i mbaj akoma me anë të komunikimeve të llojeve të ndryshme, më shkruajnë nga larg, aty ku ata ndodhen, më dërgojnë shpeshherë diçka të vogël dhe unë i ruaj ato si kujtimet e mia më të shtrenjta.

Çfarë i keni dhënë më tepër Rouz-it në këtë shfaqje?

I kam dhënë shumë këtij personazhi. I kam dhënë energjitë e mia, forcën time. Madje, mund të them me plot sinqeritet që për Rouz kam harruar edhe shtëpinë time. E them këtë, sepse nga mëngjesi deri në mbrëmje nuk i jam ndarë këtij roli, por edhe “ajo” është mishëruar tek unë në një lloj mënyrë dhe nuk shmanget nga unë me lehtësi.

Meqë tani do të mbyllni karrierën tuaj, ku do të doni që të identifikohej më mirë emri juaj? Në një rol, shfaqje, film...

Unë kam një sinonim dhe shumë njerëz më quajnë e më njohin me emrin Bude. Kudo më thërrasin me këtë emër, apo edhe kur flas në telefon me dikë. Megjithatë, se ku do të identifikohet më mirë identiteti im prej aktoreje do ta dijë dhe do ta vendosë vetëm spektatori, publiku shqiptar.

Ku do ta orientoni tani aktivitetin tuaj të përditshëm?

Unë kam shumë punë për të bërë. Në jetën time kam shumë botime, të përgatitura që në rininë time të hershme. Ato janë botime që konsistojnë më tepër në portrete artistësh, të jetës së Naim Frashrit, të Pjetër Gjokës, të një ish-studentit tim Erion Mustafaraj Besim Levonjës, Esat Oktrovës, e shumë të tjerë.

Çfarë studimesh janë këto?

Janë studime teorike, praktike mbi shfaqjet, ose punime mbi rolin. Në shtëpinë time kam dy sirtarë që janë të mbushur me punime të miat të pambaruara. Kam pasur një zakon që kam mbajtur një ditar që në rininë e hershme, që 16 vjeç. Është një ditar shumë i madh dhe tepër intim i imi. Në çdo aktivitet timin unë e kam mbajtur dhe ende e mbaj fletoren me vete duke përshkruar pikën e nisjes, emocionet e mia, të papriturat, e gjithçka që më ndodh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›