Pallati rrezikon shembjen në Bulqizë, policia largon banorët
Një pallat në qytetin e Bulqizës ka pësuar shembje në pjesën e pasme të tij, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të tij. Policia ka ndërhyrë menjëherë duke larguar nga ndërtesa banorët, për të shmangur kështu një tragjedi të mundshme. Në pallat banojnë rreth 56 banorë, të cilët mund të përballen me pasoja për jetën, nëse ndërtesa shembet. Sipas burimeve të policisë, pallati është në një gjendje shumë të vështirë dhe mund të shembet totalisht nga momenti në moment, duke rrezikuar jetën e banorëve që jetojnë në të. Një pjesë e murit të katit të dytë të pallatit është shembur ditën e djeshme rreth orës 10:00. Kjo ka shkaktuar panik tek banorët. Janë lajmëruar organet përkatëse, për të ndërhyrë për të zgjidhur situatën. Banorët që jetojnë në këtë ndërtesë kanë hyrë pa lejen e bashkisë brenda ambienteve të kësaj godine që në vitin 1996. Pallati ka qenë i papërfunduar dhe ka qenë i destinuar për t’u shndërruar në një hotel, por që më pas është zënë nga banorët. Shembja e murit ka bërë që të mblidhet shtabi i emergjencave i Ministrisë së Brendshme, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve. Mendohet se shkaku i shembjes kanë qenë ngricat e ditëve të fundit. Të gjithë banorët janë larguar nga ndërtesa dhe bashkia e qytetit ka marrë masat, që t’i strehojë ata në një tjetër vend.