E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritan Dajti: Në vrasjen e dy policëve në Tropojë ka gisht Arjan Muça

Dritan-dajtiTiranë- I akuzuari i drejtësisë shqiptare Dritan Dajti ka vijuar edhe sot me hapjen e kutisë së ‘Pandorës’, siç i quan ai rrëfimet mbi disa vrasje, që sipas tij kanë për autor vetë uniformat blu.

Dajti tha sot në gjykatë se në vrasjen e dy policëve në Tropojë ka gisht ish-shefi i grupit të ndërhyrjes për kapjen e tij, Arjan Muça. Dajti ka ripërsëritur sërish pretendimet se efektivin Duçkollari se ka vrarë ai, por kolegët e tij pas shpine.

Sakaq seanca e rradhës për Dritan Dajtin është shtyrë për 25 korrik, sepse ai është larguar nga salla për mungesë avokatësh.

Më 28 qershor Dritan Dajti ka deklaruar në gjyq se oficerin e njësisë speciale Saimir Duçkollari e kanë vrarë kolegët e tij pas shpine.

Dajti pohoi se Duçkollari sështë vrarë siç thotë policia nga gjoksi në shpinë, por plumbi sipas Dajtit është qëlluar pas shpine duke përshkuar më pas gjoksin.

Sipas dëshmisë tronditëse të Dajtit, Duçkollari është vrarë nga oficeri i policisë me iniciale F.K jo në makinën e Dajtit,por rreth tre metra pas saj.

Sipas të pandehurit të drejtësisë shqiptare ekspertiza ka falsifikuar vendin e ngjarjes e ka fshehur provat, duke ia faturuar atij të katra vrasjet e policëve në zonën e plazhit në Durrës vite më parë. Prokuroria ka deklaruar se plumbi në trupin e Duçkollarit i përkiste armës së Dritan Dajtit.

Mesa duket ky ka qenë edhe ngurrimi i madh i policisë për të dëshmuar në gjyq dhe informacioni me të cilin Dajti pretendon se mban peng policinë.

Dritan Dajti ka paralajmëruar se javën tjetër do të hapë kutinë e Pandorës dhe do të flasë se Arjan Muça ish-shefi i grupit të ndërhyrjes për kapjen e Dajtit është i implikuar edhe në të paktën dy vrasje të tjera policësh.

Aktualisht Arjan Muça është përgjegjës për sigurinë e gjyqtarëve të Krimëve të Rënda. Dëshmia e Dajtit pritet të ndërrojë tërësisht rrjedhën e gjyqit, teksa nuk ka pranuar të vijojë seanca pa avokat mbrojtës.

Ja rrëfimi i plotë i Dajtit në gjyqin e sotëm:

Dritan Dajti- Me leje zoti kryetar…

Gjykata- Atëherë vazhdojmë gjykimin…

Dritan Dajti- Me leje…

Djykata- Po i pandehur, merr fjalën

Dritan Dajti- E para kërkoj procesverbalin e seancës së kaluar. Së dyti, lidhur me akuzat e ngritura nga prokuroria, dua të jap deklarimet e mia për vrasjen e Saimir Duçkollarit, dua të them se sot do ta hap fare pak kapakun e kutisë së ‘Pandorës’ meqë e paskeni fiksim kutinë.

Gjykata- Me ngadalë i pandehur të fiksohet në procesverbal

Dritan Dajti- Posi, unë akuzohem për vrasje, dua të them që dëshmitari i prokurorisë Flamur Gashi thotë që Saimir Duçkollari ishte me uniformë policie atë ditë. E ka thënë para jush, e ka thënë në polici. Por shiko e nderuar gjykatë, Saimir Duçkollari në këto foto duket që është pa uniformë. E dyta, shtetasi Flamur Gashi deklaroi se atë ditë, ky dëshmitari juaj nuk ka qëlluar asnjëherë në vendangjarje edhe pse ka patur kallashnikov me vete. Tjetra, sipas këtij planit operacional të bërë, del që janë vendosur të gjithë agjentët se ku do ishin dhe cfarë do bënin. Saimir Duçkollari nuk del fare, emri i tij nuk është farë në këtë plan operacional, çka më lë të kuptoj se ai atë ditë s’ka qenë në detyrë, apo jo si i bie me këtë plan operacional që e kemi të gjithë.

Gjykata- Me ngadalë…

Dritan Dajti- Në këtë plan operacional pra nuk del emri i Saimir Duçkollarit, në këtë plan operacional të bërë prej Arjan Mucës. Tjetra unë disponoj minimalja këtë foto, në të cilën duket automjeti se ku është disa çaste, ose disa minuta, ose disa sekonda, por duket qarte se Duçkollari nuk është me uniformë policie. Lidhur me këtë fakt, në këtë pikë, unë do jap deklarime të tjera, sepse ajo që do deklaroj tani ka të dhëna të rëndësishme. Unë deklaroj se Saimir Duçkollari nuk është qëlluar duke hapur derën e pasme të makinës, ai nuk e ka hapur asnjëherë atë derë, respektivisht unë nuk e kam njohur as në atë moment as më parë Saimir Duçkollarin, por pasi kam analizuar provat në vendngjarje dhe kam kujtuar atë ditë. Saimir Duçkollari është vrarë mbas Tuaregut, ose në anën e majtë të tij, por gjithmonë pas makinës ‘Tuareg’.

Gjykata- Më ngadalë…

Dritan Dajti- Në këto dy foto tregohet qartë ‘Tuareg’-u dhe vendi ku është i vrarë Saimir Duçkollari. Në këtë foto tregohet qartë se dera e ‘Tuareg’-ut është e mbyllur, edhe në çastin kur është vrarë Duçkollari. Ekspertiza tregon qartë se nuk ka gjurmë gishtash të viktimës në ‘Tuareg’. Në momentin që u vra unë e kam parë që u rrëzua. U qëllua pas shpine. Saimir Duçkollari ka dy plagë tejshpuese dhe drejtimi i qitjes është i kundërt, plumbi sipas akteskpertimit me numër 318 tregon qartë se Saimir Duçkollari është qëlluar pas shpine, predha ka kaluar përmes zemrës dhe më pas ka dalë në pjesën e përparme të të gjoksit. Ai është qëlluar në një distanë prej dy metrash, pak nga e majta. Unë më pas kujtoj se një person që ndodhej mes meje edhe Saimir Duçkollarit ishte me automatik. Arma e tij ishte drejtuar nga Saimir Duçkollari. Personi u afrua e terhoqi zvarrë edhe pse në deklarimet e mia unë kam këmbëngulur për këtë gjë, Flamur Gashi nuk pranon që ka qëlluar atë ditë, ndërkohë që eksperzita thotë se u gjëtën gëzhoja kallashnikovi. Unë personaslisht nuk e kam njohur Flamur Gashin, kur erdhi në gjykatë për të dëshmuar u kujtova. Atëherë u binda se ishte ky person që qëlloi pas shpine Saimir Duckollarin. Flamur Gashi ka vrarë pas shpine me armë kallashnikov Saimir Duçkollarin.

Gjykata- Ngadalë, më ngadalë ju lutem…

Dajti- Të gjithë dëshmitarët dëshmojnë në atë kohë se në vendnagjrje kishte nje person me kallashnikov dhe ai ka qenë Flamur Gashi. Deklarimin tim, i nderuar kryetar, e mbështes edhe në tre dëshmi të këtyre personave dhe fotot që unë u tregova, por kam edhe prova të tjera që, sic e do kodi i procedurës penale, do i paraqes pasi prokurori të paraqesë të tijat. Me kaq e mbyll deklarimin tim, do vazhdoj me kutinë e pandorës në seancën që vjen, që mos të lodhet as sekretarja që shkruan, se vajti katër vjet që po merret me mua. Tjetra… unë kërkoj si i pandehur të më gjeni avokat e nuk kam mundësi të financiare të gjej një avokat. Ju premtoj që ne seancën e ardhshme do ju jap të dhëna të tjera  edhe për Arjan Muçën, meqë e paskeni fiksim kutinë e ‘Pandorës’. Do dëshmoj për Arjan Muçën dhe vrasjen e dy policëve, para kësaj ngjarjeje, vrasje më të cilat është i lidhur ky shtet. Unë me kaq e mbyll.

Faleminderit e nderuar gjykatë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›