Dritan Dajti: Pas zgjedhjeve do të flas, prisni të mësoni çka ndodhur
Tiranë- Dritan Dajti, i akuzuari për vrasjen e katër agjentëve të policisë, ka paralajmeruar sot gjykatën se pas zgjedhjeve do të flasë dhe do të hapë kutinë e Pandorës.
Ndërsa ka dështuar seanca e radhës, Dajti akuzoi gjykatën se është ajo që po e zvarrit qëllimisht këtë proces. Seancën e parafundit policia shoqëroi madje edhe një nga pjestarët e familjes së tij që kishte ardhur në sallë për të ndjekur gjyqin dhe ai ka pohuar se kjo çështje nuk është më një çështje e drejtësisë, por një çështje personale ndaj dhe ai do ta konsiderojë si të tillë tani.
Nëse ju doni kështu, atëherë do të prisni të dëgjoni. Pas zgjedhjeve do të flas unë, do ta hap unë kutinë e ‘Pandorës’ dhe do të shikoni se çfarë do të mësoni,- kjo ka qenë deklarata e Dajtit nga kafazi i të pandehurve në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Nuk dihet se çfarë mund të nxjerrë në sipërfaqe Dajti, një prej njerëzve më të njohur tashmë të botës së krimit. Por në kohën e arrestimit, pati akuza deri edhe në media se ishin disa prej zyrtarëve më të lartë të policisë së shtetit që ishin të lidhur me Dajtin, e madje ata edhe e informonin për operacionet për kapjen e tij. Madje, dyshimet erdhën edhe për dekonspirim të operacionit ku mbetën të vrarë edhe katër agjentët e policisë në Durrës, kur u arrestua Dajti. Këto kanë çuar në aludime se janë bërë shkak edhe për zvarritjen e procesit gjyqësor, për të mos e përfunduar atë.