E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Dajti: Si kam vrarë unë të gjithë policët

Share

Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve më 7 gusht 2009, rrëfehet për Shekullin. Ai deklaron se tani është i paragjykuar, por në fakt ka shumë prova që fajësojnë policinë dhe prokurorinë. Sipas tij, dy punonjës policie janë vrarë pas shpine, kurse nga makina e tij janë vjedhur 150 mijë euro pas ngjarjes

Ju akuzoheni për vrasjen e 4 policëve, a mund të kemi rrëfimin tuaj për këtë ngjarje?

Unë zyrtarisht akuzohem për pesë vrasje dhe dy plagosje në harkun kohor prej 12 sekondash. Sigurisht që akuza mbi mua do të bindë edhe sikur kjo tragjedi të kishte marrë edhe më shumë jetë njerëzish, pavarësisht se në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 40 gëzhoja nga armët e policisë së shtetit. Kur kanë filluar breshëritë e armëve unë kam qenë në sediljen e pasme të Touareg-ut dhe kam shpëtuar gjallë me një plagë në dorë, vetëm për faktin se jam përkulur në hapësirën mes dy sediljeve të para të automjetit. Për momentin kaq mund të them për ngjarjen, pasi pjesa tjetër e rrëfimit do të jetë në sallën e gjyqit.

Po provat që janë paraqitur në gjykatë nga prokuroria? Kundër jush ka shumë prova.

Sigurisht që në këtë moment çfarëdo që të them për provat jam i paragjykuar përpara opinionit publik, por një gjë të them me bindje, nëse procesi do jetë transparent, publiku do të shohë me sytë e vet dhe do të mësojë faktin se të gjitha provat e paraqitura nga prokuroria akuzojnë drejtpërsëdrejti punonjësit e policisë dhe prokurorët e çështjes në këtë ngjarje. E vetmja provë që nuk mund të paragjykohet është ajo e vjedhjes së 150 mijë eurove nga automjeti im menjëherë pas ngjarjes.

Nga skena e ngjarjes më bën përshtypje edhe një makinë tip Benz, i ndezur, që nuk rezulton të jetë në dosjen e prokurorisë. A dini ju kush ishte në këtë makinë?

Jo deri më sot nuk di gjë për të. por në këtë moment jam i përqendruar në analizën e provave dhe në konkluzionet e akteve të ekspertimit mjeko- ligjor, dy prej të cilave vërtetojnë qartë se punonjësit e policisë Saimir Duçkollari dhe Fatos Xhani janë vrarë pas shpine.

Keni njohje apo keni takuar atë ditë personin që posedonte makinën shumë afër vendit ku janë vrarë policët?

Jo. As kam parë dhe as kam takuar njeri aty. Isha duke pritur të takohesha me një shokun tim e më pas do të shkoja në Rrogozhinë se do të blija disa vazo lulesh për shtëpinë, së bashku me kunatin dhe shokun e ngushtë të tij.

Zoti Dajti, jo rrallëherë është përfolur edhe një njohja juaj me Agron Kuliqin, zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Cila është marrëdhënia juaj me të?

Në pamje të parë pyetja është mëse sugjestionuese, pasi të thuash cila është marrëdhënia juaj do të thotë se ajo ekziston, ndonëse në fakt jo vetëm që skam pasur dhe nuk kam lidhje,m por as kam pasur rast ta shoh ndonjëherë.

*Marrë me shkurtime

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›