E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritan Dajti braktis sërish seancën, dështon gjyqi për masakrën e Durrësit

TIRANE - Dritan Dajti ka braktisur sërish sallën e gjyqit, duke u bërë kështu një pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të seancës, duke e zvarritur pafund procesin ndaj tij.
Edhe ditën e sotme, Dajti ka zgjedhur të protestojë në këtë formë për mungesën e një avokati mbrojtës, edhe pse gjykata ka kërkuar që gjyqi të vijojë vetëm me të pandehurin.

Nga një i pandehur ai është kthyer në akuzues për trupin gjykues, të cilin e ka akuzuar për zvarritjen e procesit. Trupa gjyqësore caktoi 3 avokatë të radhës me shpresën se ndonjëri prej tyre do të pranojë mbrojtjen e të pandehurit në seancën e ardhshme.

Që kur nga gjykimi i çështjes u largua avokati Asaf Hadëraj, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka mundur të zhvillojë asnjë seancë gjyqësore ndaj të dyshuarit si autor të masakrës së Durrësit. Në shumë raste, shumë nga avokatët e caktuar nga pesëshja gjykuese kanë refuzuar ta mbrojnë Dajtin, ndërsa të tjerë nuk kanë preferuar të paraqiten fare në proces.

Në rastet e fundit, trupi gjykues ka tentuar ta zhbllokonte gjyqin “Dajti”, duke i zhvilluar seancat vetëm në praninë e të pandehurit. Por, nëse më parë është bërë pengesë mungesa e avokatit në sallë, kohët e fundit pengesë është bërë vetë mungesa e të pandehurit, Dritan Dajti, i cili seancë pas seance largohet nga kafazi i hekurt.

Dajti ka zgjedhur këtë mënyrë për t’i lidhur duart drejtësisë, e cila po shënon një prej rekordeve më të mëdha të zvarritjes së një procesi, ku prej një viti e gjysmë nuk zhvillohet qoftë dhe një seancë e vetme. Dritan Dajti akuzohet se ka vrarë katër policë, për të cilët ende nuk është zhvilluar asnjë seancë normale për gjykimin e tij.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›