E Diel, 1 Nëntor 2026

Dollapi: Nuk ka falje as për faturat e papaguara, as për kamatvonesat

DURRES - Administratori i “CEZ Shpërndarje”, Sahit Dollapi hodhi poshtë lajmet e përhapura në media për mundësinë që kompania të falë faturat e papaguara dhe kamatvonesat e energjisë elektrike. I pranishëm në nisjen e punimeve për rrjetin 20 kWh tek Shkëmbi i Kavajës në Durrës, Dollapi u bëri thirrje qytetarëve të paguajnë energjinë në faturat e prapambetura të energjisë elektrike.

“Dua të hedh poshtë si plotësisht të pavërtetë lajmin e rremë që po qarkullon këto ditë në shtypin e shkruar për amnisti për ata që nuk kanë paguar. Kjo është plotësisht e pavërtetë dhe një informacion dashakeq që del në një pjesë të shtypit sa herë ka fushatë elektorale. Nuk ka falje as për faturat e papaguara, as për kamatvonesat. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre trillimeve dashakeqe, por të paguajnë në kohë faturën e energjisë. Sa më shumë vonohen, aq më shumë do të paguajnë dhe në rastin më të keq do t'u ndërpritet energjia si debitorë”,- deklaroi Dollapi.

Në lidhje me rrjetin 20 kWh tek Shkëmbi i Kavajës, Dollapi tha se ky investim është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
“Janë me mijëra biznese, me mijëra familje që kanë në këtë zonë një shtëpi pushimi, si dhe janë me qindra e mijëra pushues të cilët janë përfitues direkt nga ky investim. Ju premtoj se investimi do të jetë i përfunduar deri në qershor dhe nisja reale e sezonit turistik do ta gjejë të gjithë këtë zonë të bregdetit me infrastrukturë shumë të mirë të furnizimit me energji elektrike”,- deklaroi Dollapi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›