E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Dajti kërkon shkarkimin e gjyqtares së çështjes

Konkretisht, Dajti e akuzon gjyqtaren Nertiva Kosova, se ka falsifikuar procesverbalin e seancës së 12 marsit të këtij viti.

Dajti pretendon se kishte kërkuar që në dhjetor të vitit të shkuar regjistrimin audio të seancave, teksa kërkesa nuk është zbatuar nga gjyqtarja dhe nuk dhënë asnjë vendim për këtë kërkesë. "Janë bërë 17 seanca të tjera pa vendosur, duke i dhënë mundësi falsifikimi të procesverbalit. Ajo ka shpërdoruar detyrën e gjyqtares qëllimisht dhe po rëndon pozitën time", është shprehur Dajti.

Ngjarja e njohur si “masakra e Durrësit” u shënua pak pas mesditës së 7 gushtit 2009, në një rrugicë pranë pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit. Gjatë një operacioni policor për arrestimin e të shumëkërkuarit të atëhershëm Dritan Dajti, u vranë katër punonjës policisë. Oficerët e vrarë ishin Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj. Gjithashtu, në të njëjtën ngjarje u vra edhe shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur shtetasit Dritan Dajti dhe F. Shamku.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, punonjësit e Policisë u vranë nga i pandehuri Dritan Dajti. Për ngjarjen në fjalë, Prokuroria për Krimet e Rënda kanë dërguar në gjyq tre të pandehur, Dritan Dajti, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, “vrasje në rrethana të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “falsifikim dokumentesh”, “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”. Të bashkëpandehurit e tij, Ergest Xhoxhi akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” e “falsifikim dokumentesh”, ndërsa Mariglen Muça për “shpërdorim detyre”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-04 14:46
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›