Dritan Dajti thyen heshtjen: Do rrëfej të vërtetën për vrasjet
Dajti fton familjen Duçkollari në gjyq, reagon vëllai i efektivit të vrarë
Në seancën e 18 qershorit Dritan Dajti i bëri një sfidë të hapur gjyqësorit Shqiptar duke e kërcënuar trupin gjykues se nëse ata do të cënonin sadopak familjen e tij atëherë ai do merrte hak, ndërsa ditën e djeshme më 26 qershor një seancë më pas ai deklaroi se të vërtetën e vrasjes së katër efektivëve të policisë do ta marrin vesh në seancën e ardhshme. Në këtë formë duket se do të hapet shumë shpejt Kutia e Pandorës e cilësuar nga Dajti historia e tij me akuzat për vrasjen e katër policëve dy vite më parë në afërsi të pistës Iliria në qytetin e Durrësit. Gjatë seancës së radhës në gjykatën e Tiranës, Dajti është i vendosur të thyejë heshtjen, duke nënkuptuar se nuk është ai njeriu që vrau oficerin Duçkollari. Ndërsa ngacmimit të prokurorit për kutinë e Pandorës, Dajti i përgjigjet se audienca nuk është e vëmendshme ndaj tij, pasi është e përqendruar tek rezultatet e zgjedhjeve. I pandehur, nën akuzë për vrasjen e 4 efektivëve të policisë, ka kërkuar nga trupi gjykues që të jap dorëheqjen, pasi mes palëve ka mosmarrëveshje.
Kërkesa e Dajtit
Kërkoj dorëheqjen e trupit gjykues, pasi me një letër drejtuar Policisë së Shtetit, është kërkuar mbrojtja juaj. Sipas gjykatës unë jam një kërcënim për jetën tuaj dhe të familjarëve tuaj. Kjo është prova faktike që mes nesh ka mosmarrëveshje. Por relatori i çështjes i është përgjigjur se vetë gjyqtarët mund të vendosin ose jo të japin dorëheqjen. Replika e Idriz Mulkurtit nuk ka ndalur Dajtin, që ti rikthehet kërcënimeve, të cilat janë shndërrua në batuta dite. Uroj që ky proces të shkojë mirë e të jetë korrekt, për më tepër kur Drejtori i Mbrojtjes së dëshmitarëve është Arjan Muça, dëshmitar në këtë proces. Muça drejtonte operacionin dhe kishte përgjegjësi për jetën e agjentëve. Uroj të mos ndodhë e njëjta gjë. Pas kësaj deklarate i pandehuri është larguar duke kërkuar nga gjykata caktimi e një mbrojtësi kryesisht.
Familja Duçkollari
I kontaktuar nga mediat vëllai i efektivit të ndjerë Saimir Duçkollari, shprehet se drejtësia ka mbledhur provat faktike për këtë ngjarje. Ndërsa deklarata e të pandehurit për të nuk kanë vlerë. Ne i besojmë drejtësisë dhe provave që ka mbledhur për vrasjen e Saimirit. Dritan Dajti bën deklaratat për gazetë dhe ne nuk na interesojnë se çfarë do thotë ai. Urojmë që nga drejtësia të zgjidhet sa më shpejt kjo çështje, shprehet Artur Duçkollari.
Akuzat e Dajtit për Gjykatën e Tiranës
Keni zhvilluar për gati dy vjet një proces të mbyllur në mënyrë që publiku të mos marrë vesh të vërtetën e 2009-ës. Ju kujtoj se pas zgjedhjeve do hap kutinë e Pandorës. Pyesni mirë kush e vrau Saimir Duçkollarin? Pse e vrau veten babai i tij? Pyesni mirë e nderuar gjykatë. Kërkoj të mbrohem me avokat e meqë nuk më keni gjetur avokat, kërkoj të largohem nga salla. Këto kanë qenë deklaratat e kryera gjatë gjithë seancave më të fundit në Gjykatën e Tiranës.