E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Hoxha përcillet me duartrokitje e lule

 

TIRANË- Presidenti i TOP-it, Dritan Hoxha u përcoll me duartrokitje e lule, në rrugëtimin e tij të fundit mbi dhe. Qindra gazetarë, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë i janë bashkangjitur kortezhit mortor nga shtëpia e tij drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet Dritan Hoxha. Arkëmorti u ndal për herë të fundit përpara Piramidës, ku ndodhen zyrat e televizionit “Top Chanel”, media më e rëndësishme e grupit të themeluar nga Dritan Hoxha. Duartrokitjet nuk reshtën, edhe pasi arkëmorti i rënduar nga qindra lule kaloi përgjatë kryeministrisë, përshkoi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u nis drejt varrezave të Sharrës, i shoqëruar nga shumë makina, një pjesë e mirë e të cilave me logot e televizoneve dhe gazetave të tjera në vend.

Rreth orës 13:00, kortezhi i miqve, kolegëve dhe qytetarëve ndaloi në varrezat e Sharrës, ku do të prehet përjetësisht trupi Dritan Hoxhës.Drejtori i Përgjithshëm i Top –Medias,Enkel Joti, mbajti fjalimin e lamtumirës. “Humbja më e thellë është për nënën e tij, e cila e rriti në mungesë të të atit, me shumë mundime. Duket se ajo e ka të pamundur të përmbajë sot dhimbjen, për humbjen e birit të saj të dashur. Por sigurisht që humbja më e madhe është për 4 fëmijët e tij, të cilët do t’iu duhet të ecin tani në jetë pa përkrahjen e të atit, si dhe për bashkëshorten dhe partneren e tij në jetë, Vjollcën”,-tha në fjalimin e tij, drejtori i Përgjithshëm i Top-Medias. Më tej ai shtoi se Dritan Hoxha iku nga kjo jetë duke lënë pas jo vetëm një kujtim, por një vepër të tërë, një trashëgimi të pasur që i dha jetë një zhvillimi të vrullshëm të mediave audiovizuale në Shqipëri.

Në ceremoninë e djeshme mortore morën pjesë qindra personalitete të vendit, miq e kolegë, stafi i TOP Medias, familja dhe njerëzit e tij të dashur si dhe te tjere shqiptarë. Mjaft telegrame ngushëllimi kanë ardhur nga te gjitha anët e Shqiperisë, si dhe nga Kosova e Maqedonia, nga kryeministri i Kosovës dhe personalitete të tjera. Dritan Hoxha humbi jetën në një aksident fatal automobilistik, në orët e para të së premtes.Ngjarja e rëndë ndodhi në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë, kur automjeti “Ferrari” me të cilin po udhëtonte 40-vjeçari Hoxha doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe të një vajze 27-vjeçare.

EKSPERTIZA

Aksidenti fatal, në 97 metra buzë Lanës

TIRANË- Policia deklaroi se dyshohet që shpejtësia e madhe dhe rruga e lagësht i kanë shkaktuar vdekjen presidentit të Top-Medias, Dritan Hoxha. “Ferrari” i tij, i ndarë më dysh, i është nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme auto-teknike, por policia deklaroi se ka rindërtuar skenën e aksidentit, i cili është zhvilluar përgjatë 97 metrave. Makina luksoze që drejtohej nga Hoxha, fillimisht është përplasur me trotuarin e krahut të majtë të bulevardit si dhe me dy shtylla dekorative ndriçuese. Pas këtyre përplasjeve, 40-vjeçari nuk ka mundur të kontrollojë më automjetin, i cili është përplasur me një pemë, me perimetrin e trungut 3.1 metër. Kjo ka qenë dhe goditja fatale për jetën e babait të katër fëmijëve të mitur dhe 27-vjeçares Entela Hysko.“Automjeti është shkatërruar plotësisht, duke u ndarë në dy pjesë”,- thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Dritan Hoxha ka marrë dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, që i shkaktuan atij vdekjen vetëm pak minuta pas ngjarjes. Mësohet se zemra e tij rrihte në momentin që mbërriti policia, ndaj dhe ai u transportua me autoambulancë drejt spitalit, por nuk mundi të arrinte i gjallë në duart e mjekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›