Perdja mbyllet
Elsa Ballauri
Më shqetëson ideja se mund të nis të shkruaj çfarëdolloj teme dhe nuk do të përmend dot Gërdecin. Është si një peng që të bën të mos frymëmarrësh lirisht, ndjehesh keq, të çjerr kujtesa se një gjë e rëndësishme ka mbetur pambaruar… e më e keqja është se nuk e merr dot me mend se a mund të mbarojë një ditë…M’u desh ta pyes përsëri nënën e Resit nëse e mori dëmshpërblimin e premtuar për vajzën e humbur. Përgjigjja është “Jo”. Asnjë nga të gjashta familjet e Vorës, midis tyre edhe ajo e vogëlushit 7-vjeçar që humbi jetën në Itali bashkë me Resin, nuk kanë marrë asnjë ndihmë… E çuditshme. Çfarë mekanizmi djallëzor nga pushton sapo vjen momenti për të ndihmuar tjetrin. E di që kjo frazë nuk do të tingëllojë mirë për qindra veshë shqiptarë. Do të dëgjoj ulërima aksiomike që thonë se shqiptarët e treguan veten e tyre në tragjedinë e Gërdecit, ata iu gjendën njëri-tjetrit aq afër si asnjëherë tjetër etj., etj. Kjo është e vërtetë vetëm në dukje. Jemi të gjindshëm në momentin e një zjarri të madh, e një përmbytje të madhe, të gatshëm në ndihma përpara katastrofave. Dukemi sikur së bashku me të gjendurit pranë tjetrit realizojmë edhe kuriozitetin e dramës që luhet. Sapo shuhet zjarri, sapo uji që përmbyti tërhiqet në folenë e vet, sapo katastrofa zhduket dhe çdo gjë bëhet normale, ne tërhiqemi. S’ka më spektakël, s’ka më protagonizëm. Perdja u mbyll.
Kemi një të kuptuar ndryshe të ndihmës. U mjaftuam me angazhimin e forcave të policisë, të shëndetësisë, të qeverisë etj. Bërtitëm shumë fort se bëmë një gjë të mrekullueshme, se mjekët ndenjën deri vonë netëve pranë të plagosurve, se shtetarët i mbajtën hapur përgjatë natës dritat e zyrave. Në rregull, unë nuk e kundërshtoj këtë. Por ama di të them se mjeku e ka për detyrë t’i rrijë pranë të sëmurit, pa pyetur për oraret, e ka asimiluar këtë në kodin e vet të etikës, se shtetari para se ta marrë në kurriz përgjegjësinë e të qeverisurit e ka menduar se mund të rrijë shpesh pa gjumë, se policia trajnohet për t’i shërbyer qytetarit në të mirë e në të keq. Por, nuk kuptoj dot një tjetër gjë: që nëse Resmija nuk do të qëndronte 7 orë e harruar në tunel, nuk do të kishte pësuar djegie aq të rëndë. Se nëse në spital nuk do të mbështillej me kuvertat me lesh të ashpër dhie nën kujdesin e mjekëve, lëkura e saj nuk do të ishte acaruar edhe më shumë, se nëse avioni që u premtua për Itali do të vinte në 4 të mëngjesit në vend të orës tre pasdite të ditës tjetër, ajo nuk do t’i kishte lënë aq shumë pa mend mjekët italianë. Dhe së fundi, nëse Gërdeci do të ishte një fshat i këndshëm afër kryeqytetit, pa barut në pragun e derës, Resmija do të ishte duke përkëdhelur beben e saj 6-muajsh….
Ka disa faza që lidhen me ndihmën. Momenti i parë, përkushtimi i mëtejshëm dhe fundi. Ne shqiptarët jemi shumë të mirë për momentin e parë. Gjithmonë momenti i parë është i lidhur edhe me protagonizmin dhe për këtë arsye shpesh njerëzit kanë dhënë më shumë ndihmë nëpër stacionet televizive se sa në mënyrë të natyrshme anonime. Protagonizmi na pëlqen, na shkon për shtat. Protagonizmi na ka ndihmuar që historikisht të marrim titullin e mercenarit profesionist. Faza e dytë, ajo e përkushtimit, na lodh, na mërzit, shpesh është e lidhur me një tjetër sistem që kërkon strategji dhe organizim, gjë që ne nuk e kemi shumë për zemër. Interesi ulet sepse nuk arrijmë dot të organizohemi për atë që duhet bërë më tej. Faza e dytë është çoroditëse. Shpesh mundohemi, lodhemi e pastaj dembelosemi dhe i lemë punët përgjysmë. Ndërkohë, fundi i ngjarjes afrohet shumë shpejt tek ne, ne mezi e presim atë. Fundi shoqërohet me harrim. Harrojmë. Nuk kemi më inat, motivim, zhgënjim. Këto ndjenja topiten, lodhemi nga pamundësia jonë qytetare dhe shtetërore. Heqim dorë.
Mbaj mend që në ditët e para pas tragjedisë diskutuam në TVA për psikologjinë e ndihmës, se sa shqiptarët u motivuan të ndihmonin njëri-tjetrin. Mbaj mend që thashë një frazë që jam e bindur tingëlloi keq për shumë njerëz, thashë që edhe Gërdeci do harrohet shpejt nga ne, se ne dimë shumë mirë të harrojmë… Do të isha e lumtur tani të kisha gabuar. Jam e trishtuar që po ndodh pikërisht kështu. Ndonëse numri i artikujve që shkruhen është i konsiderueshëm, kjo nuk mjafton. Media tashmë është bërë e zgjuar për t’i kuptuar detyrat e veta. Për fat të keq nuk është bërë e zgjuar qeveria që të mos lejonte asnjë të lënduar të ankohej ende. Tragjeditë, sado të rënda të jenë bëhen një mësim i mirë për ata që udhëheqin shtetin. Tragjedia e fabrikës së trikotazhit ku humbën jetën 148 gra, në mars të vitit 1911, në qytetin e New York-ut, krijoi simbolikën e 8 Marsit dhe ndryshoi shumë legjislacionin amerikan për kushtet e punës dhe situatën e grave. Kështu, edhe Post-Gërdeci ka nevojë për një monitorim të rreptë dhe të dhimbsur. Kjo ishte një sfidë për qeverinë shqiptare që lakohet për korrupsion dhe mungesë profesionalizmi. Gërdeci është ende një fenomen tragjik, por njëkohësisht edhe shans për shtetin shqiptar të ndryshojë psikologjitë dhe mënyrat e drejtimit. E pra, le ta bëjë këtë ndryshim. Eshtë e dhimbshme të mendosh se familje të tëra zvarriten përditë nëpër dyert e bashkive për të marrë shpërblimet që iu janë premtuar. Një lojë cinike që fillon me shpërblimet qesharake dhe vazhdon me talljet burokratike. Më duket sikur zyra pafund janë mbushur me TE KREKOSUR të shumtë që duan t’i japin rëndësi vetes duke ngadalësuar procesin e firmave… dhe për çfarë?... Vetëm për pak protagonizëm. Ndihma për tjetrin quhet sipas tyre një nder dhe madje mënyra se si jepet ajo, është false. Nuk e di se kur mund të krijohet ajo kastë njerëzish që do ta kuptojnë përgjegjësinë ndaj të tjerëve si detyrë për të cilën paguhen dhe jo si një privilegj… Ndofta do të vijë një ditë që kur këta TE KREKOSUR të kuptojnë se sa e rëndësishme është të kalosh nga filozofia e protagonizmit në atë të anonimitetit… dhe kur të arrihet kjo ditë, …mund të kemi fatin të hyjmë në një fazë tjetër civilizimi.