Haga liron gazetarin Baton Haxhiun
Gjykata e Hagës vendosi të lirojë përkohësisht gazetarin kosovar, Baton Haxhiu, i cili është akuzuar për nxjerrjen e emrit të një dëshmitari. Gazetari Haxhiu akuzohet se publikoi emrin e një dëshmitari të Hagës kundër Haradinajt. Vendimi i gjykatës është dhënë gjatë ditës së djeshme, duke marrë parasysh kërkesën e avokatit të mbrojtjes për lirim të përkohshëm të gazetarit kosovar. Kërkesa e avokatit të Haxhiut është bërë vetëm pak ditë më parë, kur gazetari deklaroi se është totalisht i pafajshëm. Lajmi për lirimin e përkohshëm të Baton Haxhiut është dhënë nga agjencia kosovare e lajmeve "Kosovapress", pasditen e djeshme. Baton Haxhiu akuzohet nga Gjykata e Hagës se në vitin 2007 ka publikuar emrin e një dëshmitari të mbrojtur, i cili do të dëshmonte kundër Ramush Haradinaj. Publicisti kosovar u arrestua në mënyrë të menjëhershme, pak pas ngritjes së akuzave kundër tij nga Gjykata e Hagës për zbulimin e identitetit të dëshmitari kryesorë në gjyqin kundër ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Vetëm pak javë më parë, ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Astrit Haraçija si dhe bashkëpunëtori i tij, Bajrush Morina, u akuzuan nga Gjykata e Hagës për frikësim të dëshmitarëve, në gjyqin kundër Haradinajt.