E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frytet e Shqipërisë anglishtfolëse

Genc Pollo 

Prioritet i yni është që shqiptarët të kenë një zotërim të mirë të gjuhës angleze. Kjo gjuhë është padyshim “lingua franca” e shekullit të 21-të dhe besoj është e vetëkuptueshme për publikun rëndësia për të gjithë, e sidomos për çdo të ri që del nga shkolla në jetë, të flasë e lexojë anglisht në mënyrë që të jetë i suksesshëm në një Shqipëri që integrohet në Evropë dhe po ekspozohet ndaj efekteve të globalizimit. Dhe për të qenë i aftë, për të ecur përpara, për të përfituar nga arritjet e teknologjisë, të shkencës, të fushave të dijes në përgjithësi duhet të njohim patjetër gjuhën angleze.
Që në fillim duhet thënë se themelore është zotërimi i mirë i gjuhës amtare dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Kalimi nga arsimi bazë 8-vjeçar në atë 9-vjeçar dhe nga arsimi i mesëm nga 4-vjeçar në atë 3-vjeçar, është rasti për të korrigjuar gabime të së shkuarës dhe për të vënë mësimin e shqipes në baza të shëndosha. Po ashtu ju ndoshta jeni të informuar për sa po bëjmë për mësimin e frëngjishtes, italishtes, gjermanishtes, spanjishtes etj., në shkollat tona. Shqipëria dhe Evropa kultivojnë në mënyrën e duhur një realitet multikulturor.
Por gjuha e parë e huaj që na duhet qartazi është anglishtja; Të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të gjitha vendet e Evropës Perëndimore po lëvizin në këtë drejtim. Madje edhe në Francë një komision për reformat, i ngritur nga presidenti Sarkozy, konservativ dhe i kryesuar nga një figurë e së majtës frënge si Jacque Attali, rekomandonte pikërisht këtë gjë.
Edhe tek ne, nisma Shqipëria anglishtfolëse ka gjetur një mbështetje të gjerë. I referohem përkrahjes publike nga titullarë të opozitës, si znj. Dade e z. Koçi, të cilët kanë përvojë personale në këtë fushë dhe të cilët sërish do t’i falënderoja për frymën e hershme të konsensusit në një fushë madhore, siç është arsimi. E them këtë, pasi gjërat kanë qenë ndryshe në qeverinë e shkuar, kur kryeministri ushtrohej vazhdimisht në një retorikë globaliste. Por pavarësisht nga kjo, ministri i Arsimit i asokohe i uli orët e anglishtes dhe të gjuhës së huaj nga 3 orë në javë në dy të tilla, duke sjellë një dëm jo të vogël, i cili po riparohet tani me kurrikulën e re që përmenda më lart.
Por le të ndalemi tek disa masa konkrete me efekte të matshme të ndërmarra në kuadrin e nismës Shqipëria Anglofone.
Së pari, mësimi i gjuhës së huaj që vitin e kaluar fillon si lëndë e detyrueshme që në klasën e tretë të arsimit fillor dhe jo më në klasë të pestë, siç ndodhte më parë. Kjo masë është në përputhje me standardet e iniciativës “Mësimi i gjuhës së huaj në moshë të vogël” të Këshillit të Evropës.
Së dyti, përmes shtimit të kuotave për në programet e studimit të anglishtes në fakultetet e gjuhëve të huaja, përfshi këtu edhe fakultetin e ri në Universitetin e Durrësit, ne synojmë në një të ardhme të afërt të kemi mësues anglishte me diplomë, pasi një pjesë e tyre kanë vetëm dëshminë e provimit të kësaj gjuhe. Por në këto fakultete duhen rishikuar standardet e nxënies, ndoshta edhe kurrikula dhe metodika. Këtij qëllimi i shërben edhe një marrëveshje e ministrisë me Universitetin e Cambridge, ESOL- Qendra për Anglishten për të Huajt.
Së treti, këtë vit shkollave tona për herë të parë do t’u ofrohen në masë tekste anglishte të botuesve britanikë profesionistë, të përzgjedhura përmes Altertekstit 2008, të cilët do të ofrojnë edhe trajnim suplementar për mësuesit si dhe material mësimor në DVD, pra me teknika audio/video.
Së katërti, në sistemin Meritë-Preferencë të pranimit në Arsimin e Lartë, anglishtes i kemi dhënë një koeficient maksimal dhe kjo ka bërë që numri i maturantëve që e zgjedhin këtë lëndë në provimet e maturës të arrijë nga 2971 në vitin 2006, në 8700 sivjet, duke u trefishuar në tre vjet dhe duke arritur në 30% të totalit. Po gjithsesi duhet punë e kohë që të arrijmë tek anglishtja provim i detyruar i maturës, siç e praktikojnë disa vende evropiane.
Dhe së shpejti do të kemi një strategji më tërësore për këtë temë, synimet e së cilës jam i sigurt që do të vazhdojnë të kenë mbështetjen tuaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›