Spekulime në tregun e pasurive të paluajtshme
“Nëse investoni në blerje pronash në Shqipëri, mund të fitoni paratë e investuara në tre vjet ose më pak”. Shqipëria do të hyjë në BE në vitin 2014”. “Shqipëria do të bëhet zona tjetër e nxehtë e pronave në Mesdhe”.
Këto janë disa nga titujt e lajmeve të publikuara nga agjencitë e huaja të shit-blerjes së pronave të paluajtshme gjatë javëve të fundit. Titujt janë bombastikë. Shpesh ofrojnë informacione të rreme ose tepër optimiste. Informacionet mbi rrezikun e vendit nuk ekzistojnë fare. Të dhënat mbi gjendjen e infrastrukturës, mungesën e dritave apo furnizimit me ujë, gjithashtu. Duket se një valë e gjerë spekulimi po e bën Shqipërinë të duket si parajsë. “Tani për tani, vetëm anglezët dhe francezët janë të interesuar për të blerë apartamente në Shqipëri”, - thotë punonjësi i një agjencie pronash të paluajtshme në Tiranë.
Theksi te qendrat e biznesit
Ekspertët e huaj këshillojnë investitorët të përqendrohen në Shqipëri në blerje ambientesh me destinacion tregtar, zyra e dyqane. Kjo është e kuptueshme për shkak se raporti mes çmimit të blerjes së një dyqani dhe çmimit të dhënies me qira, premton për kthime shumë më të mira sesa në blerjen e apartamenteve. Megjithatë, duket se ekspertët po i premtojnë investitorëve diçka të pavërtetë.
Kërkesë reale, çmime gjithsesi të fryra
Ndryshimi i Shqipërisë nga vende të tjera të rajonit që njohën bumin, si Hungaria, Bullgaria e Mali i Zi, qëndron në faktin se popullata e Shqipërisë është vazhdimisht në rritje, kushtet e strehimit janë ende shumë të këqija dhe njerëzit kanë nevojë për apartamente të reja e për apartamente më të mëdha. Në vende të tjera, bumi në pronat e paluajtshme u shkaktua nga dëshira e njerëzve për të blerë shtëpi të dytë apo të tretë. Këtu te ne flitet ende për shtëpinë e parë. Në këtë këndvështrim, nuk ka arsye që çmimet të ulen në Shqipëri dhe investimi është pothuajse i sigurt. Por pas kësaj teorie, ka një rrezik të pashpjeguar: është fakti që kostoja e ndërtimit në Shqipëri vijon ende të jetë rreth 200 euro për metër katror dhe se një vendim politik për zgjerim qytetesh apo për liberalizim tregu, mund të sjellë rënie të shpejtë çmimesh.
Për më tepër, viti 2008, duket koha më e papërshtatshme për të investuar në prona të paluajtshme. Gjatë vitit të kaluar, numri i lejeve të ndërtimit qe katër herë më i ulët sesa në vitin 2006. Shitjet qenë gjithashtu shumë më të ulëta, për shkak se mungesa e ofertës për apartamente të lira nxjerr jashtë tregut një numër të madh blerësish potencialë. Dhënia me qira e apartamenteve në Shqipëri rezulton një biznes shumë i keq. Norma e kthimit rezulton më pak se 2% në vit. Në linjën e qendrave të biznesit, kthimet janë shumë më të larta, 6 apo 7% në vit, por oferta në këtë sektor duket se është shumë më e lartë sesa kërkesa dhe sasia e hapësirave të destinuara për zyra e që kanë mbetur bosh, është shumë e madhe. Duke marrë parasysh se faza e ekspansionit në banka te telekomunikacioni duket se ka përfunduar, nuk pritet ndonjë rritje e fortë kërkese për zyra.
Shqipëria mund të anëtarësohet në BE pasi të mbarojë periudhën e Stabilizimit dhe Anëtarësimit, e cila sipas MSA-së duhet të zgjasë jo më pak se dhjetë vjet. Vetë periudha e MSA-së do të nisë pasi vendi të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, sepse aktualisht ka vetëm “potencialin për të marrë statusin e kandidatit”.