E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Hyska, fitues i Ardhje 2010

Ekspozita Edhe Ledia Kostandini e Enkelejd Zonja, fitues të çmimit për Artin Bashkëkohor

çmimi për artin bashkëkohor “Ardhje 2010” i ka shkuar artistit Dritan Hyska me motivacionin: “Punët e tij shfaqin një botëkuptim të ri mbi idenë e monumenteve të kohës tonë. Fotot e tij nuk janë thjesht dokumentim i realitetit, por artikulim i së tashmes në gjuhën pamore. Strukturat arkitektonike që mbushin peizazhin shqiptar dhe që artisti zgjedh t’i fotografojë, kujtojnë skulpturat minimaliste. Duke iu shmangur nostalgjisë, këto ndërtesa të pambaruara ofrohen si monumente, përkujtimore të historisë dhe politikës së kohës tonë”. Dritan Hyska, edhe pse ka munguar në tërheqjen e çmimit gjatë mbrëmjes së djeshme, do të jetë artisti që do të shkojë në Nju Jork për gjashtë javë ku do të përftojë njohuri të mëtejshme në krijimtari prej eksperiencës së përtej oqeanit. Por ndryshe nga vitet e shkuara juria, e përbërë nga Cecilia Canziani, Erzen Shkololli dhe Sadik Spahija, vendosën që këtë vit, të jenë tre fituesit e këtij edicioni, edhe pse vetëm njërit prej tyre do t’i jepet mundësia e rezidencës artistike në Nju Jork. Përveç Dritan Hyskës, fitues i “Ardhje 2010”, edhe artistët Ledia Kostandini e Enkelejd Zonja janë vlerësuar nga juria e cila në përzgjedhjen e më të mirëve mori në konsideratë aspektin formal ashtu dhe cilësitë teorike të punëve të ekspozuara. Ata shqyrtuan gjithashtu edhe zhvillimin e secilit artist në vazhdimësi, në marrëdhënie edhe me skenën shqiptare. Për këtë arsye janë përzgjedhur edhe punët e dy artistëve të tjerë fitues. Juria ka vlerësuar punën e Ledia Kostandinit për qëndrimin e saj ndaj elementeve pamore, si dhe përdorimit të fotoaparatit, si një mjet për t’i dhënë formë teatralitetit të realitetit. Po ashtu edhe në punët e Enkelejd Zonjës, është vlerësuar përpjekja për të përkthyer kompleksitetin e kohës në të cilën jetojmë, në një mjet shprehës tradicional, por tepër të pranishëm në praktikën artistike, pra në pikturë. është vendosur që këta dy artistë do të bëhen pjesë e rezidencës artistike të TICA-s në Tiranë, duke filluar nga vjeshta e këtij viti. Për çmimin “Ardhje 2010”, këtë vit konkurruan shtatë artistë të rinj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›