E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja thërret konferencën gjyqësore për imunitetin

Kufizimi i imunitetit të togave të zeza do të diskutohet nga të gjithë gjyqtarët

Kur ka kuptuar se imuniteti i togave të zeza nuk po zgjidhej nga politika, gjyqësori ka vendosur të mbledhë në një takim të gjithë gjyqtarët. Në rendin e ditës të kësaj mbledhjeje do të jenë edhe imuniteti i gjyqtarëve e zëvendësimi i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Lajmi i mirë për gjyqtarët është dhënë nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili tha se do të shqyrtojnë propozimin e kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve, ndërsa nuk përmendi në asnjë rast zëvendësimin e anëtarëve të Këshillit, të cilëve u ka mbaruar imuniteti prej disa vitesh.

Prej muajsh KLD-ja nuk funksionon me organikë të plotë, pasi ka mungesa të anëtarëve, të cilët janë transferuar në gjykatë apo iu ka mbaruar mandati.

Nisma e Gjykatës së Lartë, për të mbledhur gjyqtarët në fund të vitit të kaluar dhe për të zëvendësuar anëtarët që iu ka mbaruar mandati në KLD, nuk u prit mirë nga një shoqatë e gjyqtarëve si dhe KLD-ja, të cilët deklaruan se gjyqësori duhet të presë ligjin për Konferencën Gjyqësore, pasi ligji i mëparshëm është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. çështja është në ngërç, ndërsa kohët e fundit, duke parë që opozita në Parlamentin e Shqipërisë nuk do të japë konsensusin për miratimin e ligjit për Konferencën Gjyqësore dhe për Gjykatën Administrative, është parë e udhës të mblidhet trupa e gjyqtarëve që të vendosë vetë për fatin e tyre.

KLD-ja deklaron zyrtarisht se ka marrë nismën për mbledhjen e konferencës për imunitetin e togave të zeza dhe më pas do të dalë me një paketë propozimesh për mënyrën se si do të realizohet ky kufizim. Pak kohë më parë, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë thirrje për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve për shkak se mbrojtja ligjore që ata gëzojnë ndaj hetimeve penale në shumë raste i ka lënë vend korrupsionit dhe pamundësisë së ndëshkimit të veprimeve të paligjshme. Nismat e deritanishme duken në kuadër të deklaratave për shkak se kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve parashikohet nga Kushtetuta dhe nga ligjet për gjykatat dhe KLD-në dhe një sërë ligjesh të tjera që duan shumicë të cilësuar mbi 80 vota në Kuvend. Aktualisht gjyqtarët nuk mund të hetohen nga prokuroria qoftë edhe me kallëzimin e policisë apo të qytetarëve pa kërkuar leje dhe autorizim nga KLD-ja.

Disa javë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, tha se për të luftuar korrupsionin në gjyqësor, më parë duhet t’u hiqet imuniteti gjyqtarëve. Ai këmbëngulte se për këtë çështje “duhet ngritur zëri”. Në takimin e organizuar nga Gjykata e Lartë për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Withers citoi se “korrupsioni është i pranishëm në sistemin gjyqësor dhe se duhet të luftohet me çdo mjet. Të gjithë duhet të kenë akses në gjykatë, pavarësisht bindjeve politike, racës etj”. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Në fjalën e tij, ai tha se do të mbështesë çdo iniciativë për të luftuar korrupsionin në sistemin gjyqësor, ndërsa e ka mirëpritur idenë e heqjes së imunitetit të gjyqtarëve.

Shpeshherë prokurorët janë ankuar se statusi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve duhet të jetë i njëjtë sipas hierarkisë. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodh. Nëse për një prokuror është e lehtë të fillosh hetimet, e kundërta ndodh me togat e zeza, pasi për t’i hetuar duhet më parë të marrësh leje në KLD. Procedura mund të zgjasë dhe nga ana tjetër mund të prishë hetimet për këta individë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›