Zhani Ciko: Zorba, një kopertinë e goditur e sezonit artistik
Është mirëpritur në skenën e TKOB baleti Zorba. Koreografia e Arjan Sukniqit si dhe interpretimi i artistëve jo vetëm ata të skenës shqiptare, por dhe artistë shqiptarë që janë të njohur në skenën greke bëri që ky balet të ndezi skenën e operës.
Disa herë janë rikthyer në skenë protagonistët e filanes së baletit Zorba, i cili erdhi premierë të premten në mbrëmje në Teatrin e Operës dhe Baletit. Publiku që ndoqi në sallë këtë shfaqje ka duartrokitur me minuta të tëra, duke e dhënë në këtë mënyrë vlerësimin për artistët pjesëmarrës. Për drejtorin e TKOB, z. Zhani Ciko kjo vepër cilësohet si një kopertinë e goditur e sezonit artistik. Pas veprës Ana Bolena, që realisht ishte një ambicie muzikore, Zorba është një vepër që synon suksesin popullo. Prej shumë vitesh mendoja të sillja një vepër të kulturës greke dhe Zorba është një vepër jo vetëm e kulturës greke, por ajo i takon dhe të gjithë Ballkanit. Së dyti Zorba filozofia e veprës fillon dhe mbaron me idenë që njeriu duhet ta jetojë jetën e tij, sjell mesazhe të mëdha. Fakt tjetër është që ky kompozitor që ia ka dedikuar veprën e tij idealeve të lirisë dhe demokracisë, u bë simbol në sajë të muzikës së tij dhe për shumë vende të tjera të botës, cilëson z. Ciko, titullar i TKOB. Më tej për këtë vepër e cila mbrëmë pati dhe natën e fundit të saj në skenën operistike shqiptare, drejtori Ciko pohon se një sukses i saj vinte dhe nga interpretimi mjeshtëror i shumë artistëve shqiptarë, të cilët janë të njohur jo vetëm brenda territorit të vendit tonë, por dhe më gjerë në skenat botërore. Në këtë vepër veç pjesëmarrjes së solistëve në TKOB, ishin të ftuar dhe artistët Altin Koruti dhe Blendi Latifi. Dy mera të njohur sot në skenën greke, po ashtu për tu vlerësuar qe dhe koreografia e Arjan Sukniqit, dirigjentit Edmond Doko, skenografia e realizuar nga Platon Bardhi dhe kostumet nga Taulant Pustina. Mund të them se ky bashkëpunim vjen si një krijim shqiptar i një vepre greke, për të sjellë mesazhe aq të mëdha. Pra kemi një krijim të teatrit tonë, që u përcoll aq bukur tek publiku, vijon të tregojë drejtori Ciko. E ndërkaq që tingujt e valles së famshme greke mbrëmë kanë entuziazmuar sërish publikun në Teatrin e Operës, pasi muzika e kompozitorit të njohur grek Mikis Theodorakis dhe libreti i shkrimtarit grek Nikos Kazanzakis përçuan tek publiku shqiptar një histori emocionuese mes Zorbës dhe Xhonit të interpretuar nga balerinët shqiptarë solistë në teatrin e Athinës, Altin Koruti dhe Blendi Latifaj. Veç tyre në rolet kryesore interpretonin dhe balerinat Erisa Gina në rolin e Marinës dhe Elona Nallbani në rolin e madam Ortancës. E ftuar e speciale në këtë premierë ishte këngëtarja Manjolla Nallbani, e cila interpretoi dy këngë greke pjesë e konceptimit muzikor të këtij baleti. Kostumografia dhe skenografia ishin elementët plotësues të kësaj historie që zhvillohet në ishullin e Kretës atje ku dhe zhvillohen ngjarjet. Zorba e kompozitorit grek Mikis Theodorakis është një histori lirie, vëllazërie, miqësie, mbështetur mbi romanin e Nikos Kazantzakis, i cili në vitin 1965 i dha jetë filmit të paharrueshëm të interpretuar nga Anthony Quinn, Irene Papas. Zorba një nga veprat më të njohura në skenën botërore, kompozuar nga Mikis Theodorakis, u përcoll si një ndërthurje e valles greke me baletin klasik, me koreografi të emrit të njohur të skenës shqiptare Arjan Sukniqit. Koreografi i shfaqjes në fjalët e tij pohon: Jam shumë i emocionuar, nuk kam fjalë të shprehem, ju e patë si e priti publiku që i riktheu tre herë artistët në skenë. Është një punë shumë serioze dhe jemi munduar të japim maksimumin. Krahas balerinëve të Teatrit të Operës, dy solistët shqiptar që u rikthyen nga Teatri Lirik i Athinës, Altin Korruti dhe Bledi Latifaj arritën të realizonin një interpretim mjeshtëror në rolet e Zorbës dhe Xhonit. Përveç numrave koreografikë dhe shoqërimit nga kori, baleti solli risi edhe në elementët e tjerë artistikë. Vepra e rëndësishme e baletit grek, Zorba ka angazhuar shumë artistë në tërësinë e saj, dhe sipas vetë koreografit Arjan Sukniqi, është një vepër e vështirë, pasi është një vepër kontemporane. Manjola Nallbani i është përgjigjur me kënaqësi ftesës që i është bërë nga drejtori z. Zhani Ciko, duke e falënderuar për pjesëmarrjen e saj në këtë vepër. E njohur po ashtu, si këngëtare e muzikës së lehtë shqiptare sot ajo është ndër këngëtaret më të preferuara për publikun, por ndërkaq gjithmonë potenciali i saj si soprano ka qenë vlerësuar gjithnjë. Zorba u shfaq për katër net në Teatrin e Operas.
Historia që zhvillohet në Kretë, pushtoi skenën shqiptare
Ngjarjet zhvillohen në ishullin e Kretës. Kreta është zona me zakonet dhe traditat më të forta në Greqi. Personazhi kryesor i baletit, Zorba, një fshatar i pashkolluar por me një inteligjencë natyrore të lindur, i cili me mençurinë e tij karakterizohet një nga heronjtë popullorë të Greqisë. Zorba e quan jetën dhuratë nga perëndia dhe në sajë të mençurisë së tij, kërkon që këtë jetë ta shfrytëzojë në të gjitha mënyrat duke shpalosur një prakticizëm perfekt dhe duke gjetur zgjidhje në favor të tij për çdo situatë të jetës që i krijohet. Rastësisht ai takohet në ishullin e Kretës me Xhonin i cili është një intelektual i shkolluar në perëndim, ku e ka të pamundur që të përshtatet me ambientin që gjen në Kretë. Takimi i tyre i rastësishëm krijon një lidhje të gjatë ku të dy personazhet shpalosin karakterin e tyre. Njëri është pragmatist, kurse Zorba mbetet një prakticist i thekur. Ndonëse ato krijojnë një lidhje biznesi së bashku, edhe pse dështojnë në biznes, Xhoni që ka investuar për këtë biznes, nuk e quan humbje, por quan fitore të madhe sepse e njohu me Zorbën, i cili u përpoq ta përshtaste Xhonin me ambientin e egër të Kretës. Gradualisht ata eksplorojnë të gjithë vendin dhe përballen me situata të cilat zhvillojnë subjektin e shfaqjes. Xhoni rastësisht, bie në dashuri me njërën nga vajzat e fshatit, me Marinën, por kjo dashuri nuk shihet me sy të mirë nga fshati, pasi në ligjet vendore nuk lejohet që vajzat e fshatit të lidhen me njerëz të huaj dhe aq më tepër që Marina pëlqehet edhe nga Maloniosi i cili është i pari i fshatit. Ky i fundit, përpiqet të bindë të tërë fshatin që kjo dashuri është e papranueshme për zakonet e vendit, duke u munduar gjithmonë që ta pengojë këtë dashuris të sapolindur. Ndërkohë në tavernën e fshatit, gjendet edhe një zonjë, Madame Ortanca e cila prej shumë vitesh ka hapur një tavernë. Këtu njihet Zorba me Madame Ortancën. Megjithëse të dy në moshë të madhe, shkëndija e dashurisë që lind është fortë. Madje ata vendosin të martohen. Zorba, pasi vjen nga një udhëtim i largët disa ditor, sjell dhurata për të gjithë fshatin dhe në veçanti për Madame Ortancen, të cilës i sjell dekorin e një dasme madhështore. Ndërkohë, me Marinën kanë filluar problemet e mëdha në fshat, pasi Malionosi, ka ngritur të gjithë fshatin në këmbë duke kundërshtuar dashurinë e saj me Xhonin. Fshati merr vendimin që kjo duhet të vdesë. Dhe pikërisht gjendet momenti kur këta janë bashkë, dhe fshati në mënyrë të dhunshme i merr jetën Marinës. Dëshpërimi i Xhonit është i pamat dhe Zorba mundohet ta qetësojë, duke i dhënë shpresë për të ardhmen. Ndërkohë nga kjo situatë që i ndodhi Xhonit, Zorbës i fanitet në ëndërrimet e tij sikur edhe dashurisë së tij, vdekja kërkon ti marrë Ortancën. Ndërkohë që pikëllimi kalon tek Zorba, Xhoni optimist tashmë i shprehet se jeta vazhdon dhe duhet shijuar.
Nga Julia Vrapi