E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti: 90 minutat e mia në Prokurorinë e Përgjithshme

SHKRUAN: Habjon Hasani 08-03-2011 15:16

Tiranë- Dritan Prifti është rikthyer dje në Prokurorinë e Përgjithshme, jo më si denoncues, por si person nën hetim. Ashtu siç ishte paralajmëruar, ai është paraqitur në organin qendror të akuzës paraditen e djeshme, për të dalë që andej 90 minuta më vonë. Videoja e 70 mijë eurove, e filmuar nga vetë ish-ministri i Ekonomisë, ka qenë në fokus të përballjes së Priftit me prokurorët e çështjes, të cilët kanë tentuar të mësojnë më shumë rreth ditës, vendit dhe rrethanave të përgjimit. Pas daljes nga Prokuroria, deputeti Prifti ka shmangur komentet deri dje të kthyera në një ritual për mediat. Por në një komunikim me gazetën MAPO, ai ka pohuar se arsyeja e thirrjes së tij në Prokurori kishte lidhje me komunikimin zyrtar të fillimit të hetimeve mbi këtë video të dytë, për të cilën organi i akuzës kërkoi edhe heqjen e imunitetit të tij në Kuvendin e Shqipërisë. “Gjatë qëndrimit tim në Prokurori më komunikuan fillimin e hetimeve dhe më drejtuan disa pyetje rreth datave dhe rrethanave të videos”, - pohoi Dritan Prifti për MAPO-n, i rezervuar për të dhënë detaje të tjera. Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka sqaruar asnjë detaj lidhur me këtë thirrje të Priftit në Prokurori, ndërsa burime të gazetës bëjnë me dije se ish-ministrit të Ekonomisë nuk i është komunikuar asnjë akuzë gjatë ditës së djeshme. Në Prokurori, Prifti ka pranuar ekzistencën e videos dhe faktin se filmimi është regjistruar nga vetë ai, por i ka qëndruar pretendimeve të mëparshme se i gjithë ky skenar ka pasur si motiv dokumentimin e aferave të ish-shefit të tij. Ai ka rezervuar të drejtën për t’u shprehur tjetër herë para organit te akuzës rreth burimit të 70 mijë eurove dhe aferës me ish-zëvendësin e tij Leonard Beqiri. Pas thirrjes së Dritan Priftit pritet që Prokuroria të thërrasë zyrtarisht si person nën hetim edhe ish- zv/ministrin Leonard Beqiri, protagonist së bashku me Priftin në ndarjen e 70 mijë eurove. Hetimet ndaj Dritan Priftit nisën pas zbulimit të një videoje të dytë, ku ish-ministri i Ekonomisë shfaqet së bashku me ish-vartësin e tij, ish-zv/ministrin Leonard Beqiri duke ndarë një shumë prej 70 mijë eurosh. Kjo video e dytë, e cila i kushtoi imunitetin dhe një hetim për korrupsion pasiv ish-ministrit Prifti, nuk u dorëzua prej tij në Prokurori, ndryshe nga përgjimi i parë i Ilir Metës, por u rikuperua nga eksperti amerikan, të cilit iu drejtua Prokuroria e Përgjithshme për ekspertizë. Përtej hetimit për videon 2, deputeti Dritan Prifti ka një marrëdhënie kontroverse me organin e akuzës. Edhe pse zyrtarisht nën hetim, ai është denoncuesi kryesor i disa çështjeve që po hetohen nga organi i akuzës, prej disa muajsh, njëherazi edhe dëshmitari kryesor i Prokurorisë për këto çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›