E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detajet e videos së dytë në shtëpinë e Priftit

Videoja e fshirë nga lap-topi i Priftit, e rikuperuar më pas nga eksperti amerikan Glen Bard, jep shumë detaje, të qarta në figurë dhe në zë, mbi gjithçka që ka ndodhur në banesën e ish-ministrit Dritan Prifti, pasditen e 11 marsit 2010. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se videoja prej rreth 30 minutash është mjaft e qartë nga pikëpamja teknike, ndaj edhe thirrja e Priftit për të dhënë shpjegime mbi të ka qenë e panevojshme në fazën e parë të hetimit. Dy elementë teknikë të rëndësishëm, audio dhe video, janë të një cilësie mjaft të mirë, shumë më të qarta se video Meta-Prifti, zërin e së cilës eksperti amerikan nuk ka arritur dot ta pastrojë të gjithin. Po përtej këtyre detajeve teknike, çfarë është biseduar mes Dritan Priftit dhe ish-zv. ministrit Leonard Beqiraj, në këtë video të zbuluar krejt papritur? Në video shfaqet fillimisht ish-ministri Prifti, duke ndezur kameran regjistruese, e cila ka qenë e vendosur në të njëjtën orë me të cilën është bërë edhe regjistrimi i video-përgjimit Meta-Prifti. Ambienti këtë herë është dhoma e ndenjes në apartamentin e Dritan Priftit, ku shfaqet zv. ministri Leonard Beqiri. Biseda mes tyre, para se mbi tavolinë të “hidhej” një shumë e konsiderueshme parash, ka qenë e shkurtër. ǒështë më e rëndësishme, gjithë shuma e parave, që sipas hetimit janë rreth 70 mijë euro, janë vendosur mbi tavolinë, ndërsa Leonard Beqiri i bënte me dije shefit të vet të asaj kohe se këto para janë për ta. Gjatë gjithë kohës që është zhvilluar kjo bisedë, sipas pamjeve filmike, shuma prej 70 mijë eurosh ka qëndruar mbi tavolinë, derisa ish-ministri Prifti ka pranuar në heshtje të marrë pjesën e tij. Pas këtij momenti, biseda shef-vartës ka vijuar me të dhëna të tjera, përmbajtja e të cilave u paralajmërua dy ditë më parë nga vetë z. Prifti, i cili tha se kjo video është shembulli më i mirë për të vërtetuar bisedat në video-përgjimin mes tij dhe Ilir Metës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›