Bojkoti i opozitës, Partia Demokratike: Jemi të hapur për bashkëpunim
TIRANË - Partia Demokratike deklaron se do të jetë e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën. Kështu u shpreh sot zëdhënësja e kësaj partie, Erla Mëhilli, pak minuta pas bërjes publike të vendimit të deputetëve socialiste për të mos qenë në Parlament.
PD e cilësoi vendimin e opozitës si dashakeqës dhe pengues të integrimit të vendit dhe pikërisht për këtë të fundit i shtrin dorën e bashkëpunimit PS-së. "Partia Demokratike duke mbetur e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën u deklaron shqiptarëve se qëndrimet dhe vendimet e Edi Ramës nuk do të mund të pengojnë procesin e heqjes së vizave me BE-në", tha zëdhënësja e PD-së.
Sipas saj, vendimi i sotëm i opozitës është tërësisht në funksion të karrierës politike të Edi Rama, i cili ka për qëllim bllokimin e procesit të heqjes ë vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. "Me vendimin e tij të sotëm, Edi Rama faktoi se është i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe normë morale njerëzore dhe se për interesa të veta personale është i gatshëm të marrë çdo lloj vendimi në dëm të qytetarëve shqiptarë", theksoi Mëhilli.