E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi, akuza Ristanit

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi ka akuzuar sot kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e KQZ-së, Arben Ristani se me vendimin për djegien e fletëve të votimit, nuk kanë qëllim tjetër veçse të groposin njëherë e përgjithmonë faktet e krimit elektoral në zgjedhjet e shkuara parlamentare të 28 qershorit 2009, zgjedhje që mbajnë ende peng zgjidhjen e ngërçit politik mes opozitës dhe mazhorancës.
“Është bërë tashmë e qartë për të gjithë që Sali Berisha dhe Arben Ristani, ushtari i Saliut në krye të KQZ, po bëjnë çmos për të groposur dhe djegur faktet e krimit elektoral që ata gatuan së bashku në 28 qershor. Por është bërë tanimë e qartë për të madh e të vogël se Sali Berisha i vodhi zgjedhjet dhe se shqiptarët sundohen nga Kryeministri i votave të vjedhura”, theksoi zonja Hysi.
 

Deputetja socialiste nëvizoi gjatë një konference për mediat se cdo përpjekje e Saliut dhe ushtarit të tij në krye të KQZ-së për të zbatuar forcërisht e në shkelje të plotë të ligjit vendimin për të burgosur për plot 25 vjet listat e zgjedhësve, jo vetëm do të përbënte provën më të fortë se zgjedhjet e 28 qershorit u vodhën nga pushteti i Saliut, por do t`i jepte demokracisë shqiptare një goditje shumë të rëndë”.
 

Ajo e akuzoi kryeministrin Berisha që dje në 7 janar nisi të djegë fletët e votimit si një kusar duke u fshehur rrëzave.
“Pasi deklaroi se ishte gati të pranonte hetimin e materialeve zgjedhore dhe ngritjen e komisionit hetimor, dje në një shkelje flagrante të ligjit ushtari i Saliut, Arben Ristani dhe anëtarët e mazhorancës në KQZ ndërmorën një tjetër tentativë kriminale për të varrosur listat në arkiv për 25 vjet me pretekstin se na qenkërkan dokumente sekrete. Si gjithnjë Saliu tjetër thotë e tjetër bën”, deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi. Zonja Hysi e paralajmëroi kryetarin e KQZ-së Arben Ristani se kompetencat e tij nuk përcaktohen nga urdhërat e Sali Berishës, por nga ligjet e këtij vendi dhe nga kodi elektoral.
“Çdo abuzim politik me këto kompetenca i vë përfaqësuesit e PD-së në KQZ në një fushë të minuar juridike, që mund të ketë pasoja të rënda ligjore për ata vetë në momentin kur këtij pushteti të vjedhur që sot e bën atë të paprekshëm t`i vijë fundi”, apeloi deputetja socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›