E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritat, pas KESH edhe OST kërkon rritje çmimi

 

Fabiola Çela

Edhe OST-ë kërkon rritjen e tarifës së transmetimit të energjisë elektrike. Operatori ka aplikuar pranë ERE-s për rritjen e tarifës së energjisë që i transmeton OSSH-së nga 0.5 lekë/kwh që është aktualisht në 0.9 lekë/kwh. Vetëm pak kohë më parë edhe KESH deklaroi se do të rriste çmimin e energjisë që i shiste Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
OST
“OST-ë ka dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë Elektrike më datë 2 tetor aplikimin për tarifën e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike për vitin 2010, në të cilin propozon ndryshimin e saj nga 0.5 lekë/kwh në 0.9 lekë/kwh. Tarifa e re e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike mbështetet në nevojën për fonde që ka shoqëria në realizimin e investimeve dhe pagesën e kredive”, thuhet në një deklaratë. Në mars të 2008-ës, OST kërkoi nga enti rritjen nga 0.45 lekë/kwh, që ishte në 0.5 lekë/kwh tarifën e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike.
KESH
KESH deklaroi se do të kërkonte rritjen e çmimit të energjisë që i shet OSSH-së. Sipas burimeve zyrtare, Korporata do të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë që i shet OSSH-së nga 1.6 lekë kilovat/orë që është aktualisht në 2.5 lekë kilovat/orë. Por kjo rritje çmimi do të ndikojë edhe te vetë çmimi i energjisë për konsumatorët. Tarifat ekzistuese të energjisë hynë në fuqi në mars të vitit 2008 dhe vazhdojnë të aplikohen edhe sot. Aktualisht çmimi i dritave është 7 lekë për bandën e parë dhe 12 lekë për bandën e dytë. Bashkë me TVSH prej 20 për qind, tarifat janë 8.4 lekë për kilovat për bandën nën 300 kilovat dhe 14.4 për bandën mbi 300 kilovat.

OSSH: Çmimi i dritave të rritet me 23 për qind
OSSH ka kërkuar që çmimi i energjisë elektrike për vitin e ardhshëm të rritet me 23 për qind. Në rast se propozimi i OSSH, të administruar nga çekët e CEZ, do të miratohet nga Enti Rregullator, ata që konsumojnë mbi 600 kilovat në muaj do të shpenzojnë më pak. Një strategji çmimi kjo që bie ndesh me politikat e deritanishme të uljes së përdorimit të energjisë elektrike. OSSH ka propozuar pranë entit, heqjen e tarifimit të energjisë në bazë të dy bankave, nën 300 dhe mbi 300 kilovat. Propozimi i bërë publik parashikon që energjia të ketë një çmim të njëjtë për çdo kilovat të konsumuar prej 9.15 lekësh. Aktualisht për bandën deri në 300 kilovat, familjarët paguajnë 7 lekë kilovatit, ndërsa për çdo kilovat mbi këtë konsum, çmimi bëhet 12 lekë. Pra OSSH e ka rritur çmimin me 2.15 lekë për familjet që konsumojnë deri në 300 kilovat energji dhe e ka ulur atë me 2.85 lekë për familjet që konsumojnë më shumë se 300 kilovat. Sipas llogarive të thjeshta, një familje që konsumon deri në 300 kilovat orë në muaj, në fund të muajit do të duhet të paguajë edhe 774 lekë më shumë. Kjo tepricë, gjithmonë në rast se ERE miraton propozimin e OSSH, ulet për konsumin deri në 400 kilovat në muaj. Një familje në fund të muajit me çmimin aktual duhet të paguajë 3960 lekë, ndërsa me çmimin e ri i bie të paguajë 4392 lekë. Diferenca është 432 lekë më shumë. Diferenca bëhet shumë e vogël për konsumin deri në 500 kilovat orë në muaj. Sipas llogaritjeve, familja që konsumon 500 kilovat do të paguajë vetëm 90 lekë më shumë në muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›