Shpëtim Idrizi betohet të enjten në Kuvend
Kryetari i partisë më të re në vend, PDU, deputeti Shpëtim Idrizi do të betohet në Kuvend seancën e së enjtes, për të marrë juridikisht mandatin e tij. Ish deputeti i PS-së, Idrizi nuk kishte marrë ende mandatin, për shkak të bojkotit që PS i ka bërë Parlamentit që në nisje të tij. Pas krijimit të partisë së re, kur Idrizi u bashkua në një parti me deputetin tjetër çam të Kuvendit, demokratin Dashamir Tahiri, PDU do përfaqësohet në kuvend me dy deputetë, duke u pozicionuar në këtë mënyrë me koalicion e djathtë të maxhorancës. PDU-ja do të jetë grupimi politik, i cili do të përfaqësojë kryesisht interesat e çamëve në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas Idrizit, PDU-ja lind si një domosdoshmëri për t’i dhënë zgjidhje të gjitha çështjeve kombëtare, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve sipas tij janë lënë në harresë nga partitë e mëdha. Me largimin e deputetit Idrizi, PS-ja humb një nga ligjvënësit e saj duke e reduktuar numrin në 64 mandate. Lidhur me këtë lëvizje politike, dje nuk pati reagim as nga Partia Socialiste dhe as nga PDI-ja e Tahir Muhedinit. “Për mua çështja çame është kryesorja e të qenit në politikë, ndërsa Partia Socialiste është një parti e madhe”, tha Idrizi. Shumë herë, shtoi ai, partitë e mëdha e kanë të pamundur të mbrojnë fort çështjen kombëtare. Ndërkaq dhe partia tjetër çame, PDI, me kryetar Tahir Muhedini, është gati të bashkohet me PDU-në. Muhedini është treguar i gatshëm të japë dorëheqjen e tij, për t’i hapur rrugë një bashkimi të tillë.