E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria lehtësira fiskale për pensionet private

 

Personat që do të bëhen pjesë e skemës private të pensioneve do të kenë lehtësira fiskale. Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë dërguar në Kuvend një projektligj që synon të nxisë krijimin e fondeve private të pensioneve. Sipas draftit, çdo individ, pavarësisht moshës apo faktit nëse është në punë apo jo, mund të bëhet pjesë e skemave private të pensioneve. Kontributi që mund të derdhet është pa limit, por Ministria e Financave lehtëson nga taksat deri në 200 mijë lekë në vit. Projektligji ka nisur të diskutohet dje në Komisionin e Ekonomisë dhe pritet që të vazhdojë edhe ditën e sotme. Ky projektligj ka si qëllim kryesor përcaktimin e kuadrit ligjor në fushën e pensioneve private dhe përcakton vendosjen e standardeve për administrimin me efektivitet të fondit të pensioneve, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit. Ndërkohë, për Drejtoreshën e Legjislacionit në Ministrinë e Financave, Lindita Rusmali, drafti në fjalë, parashikon një lidhje kontrate midis shoqërisë private që administron fondin e pensionit dhe personit të interesuar, ku ky i fundit që të përfitojë një pension duhet të derdhë vullnetarisht kontributet e tij. Në projektligj parashikohen lehtësira tatimore për nxitjen e shtetasve shqiptarë për të kontribuuar për fondet e pensionit vullnetar. Anëtari i fondit të pensionit ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës së aseteve në llogarinë e vet ose pagesa periodike në formë pensioni. Ai mund ta përfitojë këtë kur mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm, 5 vjet para se të mbushë moshën e pensionit ose kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›