Dritë jeshile për bërthamorin?Nga Ervin QafmollaVendimi i Këshillit të Ministrave këto ditë për krijimin e një institucioni të ri të quajtur Agjencia Kombëtare Bërthamore, u duk se meritoi një mbulim të imët mediatik si dhe një vëmendje të vakët publ
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Dritë jeshile për bërthamorin?Nga Ervin QafmollaVendimi i Këshillit të Ministrave këto ditë për krijimin e një institucioni të ri të quajtur Agjencia Kombëtare Bërthamore, u duk se meritoi një mbulim të imët mediatik si dhe një vëmendje të vakët publike. Por, ndërkaq, skenari i paraqitur nuk mund të konsiderohet i papërfillshëm, ndërsa rëndësia që ka qoftë në aspektin ekonomik por dhe atë politik të vendit, është i një rëndësie shumë të madhe. Në vendimin përkatës, qeveria shqiptare sqaron se agjencia do të jetë në varësi të Këshillit të Ministrave dhe do të ketë për qëllim “përgatitjen, ndjekjen e mbarëvajtjes dhe të zhvillimit të programit kombëtar bërthamor”. Ky vendim zyrtar mund të konsiderohet pa dyshim si një hap përpara nga ekzekutivi shqiptar për të materializuar deklaratën e vitit 2007 të Kryeministrit Sali Berisha, në një kohë kur ky i fundit foli për herë të parë mbi ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri.
Atëherë buja qe më e madhe, por në nënshtresat e informimit publik, aktorë të ndryshëm i dhanë një trajtim folklorik me ngjyrime gati qesharake, kësaj deklarate të Kryeministrit, e cila bëhej në një kohë krize të thellë energjetike. Por, Berisha nuk shprehu thjesht një dëshirë personale. Ai theksoi se po kërkonte investime mbi këtë projekt dhe shtoi madje, se një kishte pasur interes edhe në nivel ndërkombëtar nga kompani të huaja.
Për më tepër edhe vetë ekspertët e energjetikës janë të mendimit se Kryeministri ka folur për një projekt real dhe jo thjesht për të dhënë një mesazh shprese në kohë të vështira për furnizimin me energji. “Sigurisht që Kryeministri e ka seriozisht kur flet për këtë projekt. E ka pasur kurdoherë seriozisht”, thotë për “MAPO”-n, Gjergj Simaku. Eksperti i sektorit të energjisë thekson se hapi i fundit i qeverisë për ngritjen e një agjencie të posaçme është dëshmi e pakundërshtueshme e vullnetit dhe angazhimit për materializimin e një projekti të tillë. “Çështja është se po trajtohet si një rast lokal dhe që varet nga mundësitë e vendit dhe të tregut. Në fakt, duhet parë në kontekstin e strategjisë globale për të ardhmen e zhvillimit të sektorit energjetik”, thotë ai. Simaku shpjegon se kjo e fundit lidhet me skenarin e shterimit të rezervave të naftës në dhjetëvjeçarët që vijnë, ndaj projekte të tilla duhen parë në nivel botëror dhe jo të shkëputura. “Mbi të gjitha nevojitet një konsensus ndërkombëtar, pasi Shqipëria nuk është një lojtar i izoluar dhe vetë energjia është një lojë globale”, thekson ai.
Në fakt, në vitin 2008, gjatë një mbledhje të qeverisë, Berisha deklaroi se Shqipëria është afër ndërtimit të një centrali për energjinë bërthamore. Duke marrë shkas nga samiti i vendeve të G8-ës, ku një ndër temat e diskutuara ishte ndërtimi i 1000 centraleve bërthamore, Kryeministri u shpreh se nuk ka arsye që Shqipëria të mos jetë një nga ato vende që të ndërtojë një nga këto njëmijë centrale. “Tetë nga vendet më të fuqishme në botë diskutuan gjatë samitit për ndërtimin e njëmijë centraleve bërthamore. Ndaj, zoti Ruli, të shpejtohet ndërtimi i centralit bërthamor në Shqipëri, sepse nuk ka pse Shqipëria të mos ketë një nga këta njëmijë centrale”, theksoi Kryeministri. “Po vjen era nukleare dhe uroj që opozita të dale nga anti-globalizmi dhe t’i bashkohet kësaj nisme. Kjo ka rëndësi, sepse anti-globalizmi është një lloj opozitarizmi jashtëzakonisht i pafrytshëm”, shtoi Berisha.
Pak a shumë në të njëjtën kohë, pas kthimit nga Samiti i Unionit të Mesdheut në Paris, Kryeministri shqiptar njoftoi se kishte folur edhe me homologun italian, Silvio Berluskoni, mbi këtë çështje. “Me mikun tim Silvio Berluskoni kam diskutuar shumë gjëra, ndër të cilat padyshim edhe për centralin nuklear”, tha Berisha gjatë një konference për shtyp. E njëjta deklaratë u ritheksuar nga kryeministri në fillim të vitit 2009, kur ai foli për mundësinë e ngritjes së një centrali të përbashkët bërthamor me Silvio Berluskonin. Ndërsa sot, vendi po mëson lajmin e fundit lidhur me një çështje lënë përgjysmë në harresë: ngritjen e një strukture të posaçme mbi energjinë bërthamore në Shqipëri.
Dritë-hijet e një “ideje”
Por që nga deklarata e parë e vitit të krizës energjetike e deri në vendimin e për ngritjen e Agjencisë Kombëtare Bërthamore, ka pasur edhe zhvillime të ndërmjetme, aspak të zakonta. Gjatë vitit 2009, kur Kryeministri e përsëriti deklaratën e tij mbi bërthamorin shqiptar, media kroate, malazeze dhe shqiptare botuan lajmin se Kroacia dhe Shqipëria kishin rënë në ujdi për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër me një fuqi prej 1500 Megavat dhe kosto prej 5 miliardë dollarësh. Lajmi në fjalë e trazoi aq shumë opinionin publik në Shkodër, saqë Kryeministri rendi ta përgënjeshtronte, duke thënë se nuk informacioni nuk ishte i vërtetë dhe se nuk kishte asnjë plan për të ndërtuar central bërthamor në Shkodër, një nga qytetet më të rëndësishme për të djathtën në pushtet nga pikëpamja elektorale, por nuk tha asgjë lidhur me idenë e centralit në parim. Për më tepër, ai shtoi se ky informacion i rremë ishte shtyrë nga opozita shqiptare.
Pavarësisht përgënjeshtrimit të lajmit nga numri një i qeverisë shqiptare, i njëjti që kishte premtuar “bërthamorin shqiptar”, Mali i Zi kishte shprehur ndërkaq shqetësimin e tij mbi këtë investim të mundshëm. Si një vend me vetëm 680 mijë banorë, Mali i Zi e ka orientuar zhvillimin e tij drejt turizmit, duke i dhënë një theks të veçantë mjedisit. Në këtë pikë shqetësimi i fqinjit është i kuptueshëm. Por Berisha duket t’i kishte paraprirë edhe kësaj: “Ne do të nisim hartimin e një ligji të ri për energjinë bërthamore, pasi nuk e kemi ende, do të negociojmë me Agjencinë Botërore të Energjisë Bërthamore me qendër në Vjenë, do të negociojmë me vendet fqinje, si me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën për këtë projekt”.
Në një artikull të Fil Kejn, botuar në agjencinë informative WPR, theksohet se sipas Tomislav Mazal, një nga këshilltarët e kreut negociator kroat mbi çështjen, zv.kryeminitrit, Damir Polancek, media kroate nuk tha të vërtetën. “Ne nuk kemi diskutuar kurrë sesa mund të kushtojë apo se ku mund të jetë”, deklaroi ai. Mazal konfirmoi se e vetmja marrëveshje në proces e sipër në ditët që vijnë është ajo e formimit të një grupi prej 10 vetash, me 5 anëtarë nga çdo vend për të realizuar një studim fizibiliteti. Mazal njoftoi se fundi i prillit ishte periudha kur do të hapej drita jeshile për grupin, çka do të thotë se diçka e tillë mund të ketë ndodhur. Ndërkaq, sipas vetë përfaqësuesit kroat, ndërtimi i një centrali bërthamor është një proces që zgjat nga 10 deri në 15 vjet.
Ambiciet e mëparshme të Kroacisë – të cilat përfshijnë plane për një reaktor pranë Zagrebit, ndanë kufirit me Serbinë – janë ndalur si pasojë e rezistencës së publikut. Kroacia aktualisht ka vetëm një njësi prodhimi bërthamore, pranë kufirit me Slloveninë. Një central shumë i diskutuar ky, meqenëse ndodhet vetëm 7 kilometra larg Zagrebit dhe çdo aksident i mundshëm do të kishte pasoja mbi një milion njerëz. Frika ndaj një katastrofe të tillë u rrit verën e shkuar kur një ftohës pati rrjedhje, duke shkaktuar për pasojë një alarm mbarë-evropian për emergjencat bërthamore.
Ka edhe një detaj tjetër në këtë histori. Fillimisht centrali bërthamor ishte parashikuar të ndërtohej nga italianët në jug të vendit, çka shqetësoi seriozisht Greqinë. Ndërkaq, të paktën një prej deklaratave të Kryeministrit për centralin bërthamor, në atë kohë u prit mirë nga Roma zyrtare. Pier Ferdinando Casini deklaroi për të përditshmen “La Stampa” se “nuk duhet ta lëmë që ky rast të na shpëtojë nga duart.” Por ndryshe nga Italia, fqinji jugor i vendit, Greqia u alarmua nga propozimi i Kryeministrit Berisha për ndërtimin e centralit bërthamor. Athina zyrtare është shprehur kundër një projekti të tillë me idenë se Shqipëria nuk mund të garantojë dot sigurinë e nevojshme, për të zotëruar një fuqi kaq të madhe bërthamore.
Kundër bërthamorit
Jo të gjitha ndajnë të njëjtin optimizëm mbi projektin e “Shqipërisë Bërthamore”. Hapat e fundit të qeverisë mbi energjinë bërthamore kanë ngjallur shqetësim në radhët e ambientalistëve shqiptarë. Lavdosh Ferruni, kreu i Shoqatës së Bujqësisë Organike thotë se mjafton aspekti psikologjik për ta bërë këtë projekt të papranueshëm. “Ne jemi një vend që prodhon pasiguri në çdo hap, duke dështuar të parandalojë aksidente të vogla e katastrofa të mëdha”, vëren Ferruni për Revistën “MAPO”. Ai shton se nëse çështja shtrohet në një tjetër nivel diskutimi, vendi nuk ka nevojë për kaq shumë energji, sepse projektet ekzistuese dhe ato që parashikohet të ndërtohen e vendosin Shqipërinë në pozita eksporti dhe sakaq po përballemi me rrezikun e ndotjes. “Ne jemi një vend me intensitet të lartë të popullsisë, ndaj nuk ka hapësira të mjaftueshme për të depozituar mbetjet e uraniumit”, shton ai. Ferruni thekson se ky lloj centrali nuk bëhet për nevojat energjetike të vendit dhe duke qenë se Shqipëria nuk ka nevojë për një central bërthamor, nuk ka pse të shndërrohet në një mbledhës të mbetjeve toksike.
Pro bërthamorit
Bruno Comby, themelues i grupit ndërkombëtar Ambientalistët për Energjinë Bërthamore është i mendimit se edhe vende si Shqipëria mund ta ndërtojnë dhe ta menaxhojnë një central bërthamor. “Sigurisht që Shqipëria është mjaftueshëm e qëndrueshme. Si çdo vend tjetër, ajo duhet të gjejë zgjidhjen më të mirë energjetike”. Nga ana tjetër Comby i konsideron shqetësimet mbi sigurinë si të tejkaluara: “Problemet e sigurisë lidhur me energjinë bërthamore janë gjerësisht të ekzagjeruara. Probleme masive mund të ndodhin në një termocentral me gaz gjithashtu. Nëse një reaktor bërthamor ndërtohet siç duhet, atëherë do të jetë i sigurt, çfarëdo të ndodhë”.
Në një intervistë dhënë për “MAPO”-n, Prof. Përparim Fuga, fizikant bërthamor dhe ish drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, i cili aktualisht punon si shkencëtar në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë bërthamore (International Atomic Energy Agency) në Vjenë, është shprehur se “ne duhet të kuptojmë se energjia e përfituar nga reaksionet bërthamore sot konsiderohet si një alternativë e pashmangshme”, tha ai. Sipas fizikanit të njohur, në çdo projekt të mundshëm për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore duhen llogaritur mirë kostot dhe përparësitë që mund të ketë kjo teknologji në realitet.
Ai është shprehur i mendimit se në 20 apo në 30 vitet e ardhshme, kjo alternativë do të jetë dukshëm e pranishme në realitetet e shumë vendeve. “Edhe vendet e pajisura me sasi të mjaftueshme të naftës kanë filluar së fundmi ta konsiderojnë si të përshtatshme përdorimin e energjisë bërthamore në ekonomitë e tyre”, thekson Fuga. Ai është i ndërgjegjshëm se në opinionin publik ka sot një frikë të natyrshme ndaj projekteve të tilla. Por thekson se në këtë fushë njihen vetëm tre aksidente të cilat e kanë ndihmuar shumë shkencën që të mësojë nga gabimet. Të tjerat, shton ai, janë incidente, që do të thotë se nuk kanë pasur asnjë pasojë.
Por, siç thekson edhe vetë Fuga, “është e qartë se sot në botë për të ndërtuar një central bërthamor nuk duhet vetëm një konsensus politik, por duhet mbi të gjitha një konsensus me publikun, ndaj edhe argumentet e lidhura me projekte të tilla duhet të jenë të gjitha transparente dhe të mirë-peshuara”. Ndaj respektimi i konventave ndërkombëtare, siç është ajo e Aarhusit , mbi nevojën e diskutimit të projekteve të tilla me komunitetin, apo edhe nisja e një referendumi në nivel kombëtar, marrë shkas nga pesha e projektit, janë të domosdoshme që projekte të tilla të materializohen.