E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, miting më 8 dhjetor kundër Ramës

 

ADI SHKEMBI

Maxhoranca nuk tërhiqet nga qëndrimi për mos të hapur kutitë, madje protestës së opozitës do t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Më 8 dhjetor, ditën e nisjes së lëvizjes studentore, PD-ja do të organizojë një miting festiv në Sheshin “Skënderbej”. Por, ndonëse kryeministri Berisha tha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se ky do të jetë një tubim festiv, mitingu i 8 dhjetorit pritet të jetë një demonstrim i mbështetjes që PD-ja ka në elektorat. Burime nga grupi demokrat bënë të ditur për gazetën se të gjithë deputetët e rretheve kanë marrë porosi që të mobilizojnë një numër të madh qytetarësh, për t’i sjellë në Tiranë për festimin e kësaj dite. Sipas këtyre burime, ky miting pritet të jetë një ndër më të mëdhenjtë që PD-ja ka zhvilluar ndonjëherë. Në pjesën me dyer të mbyllura të grupit të maxhorancës, kryeministri Berisha ka akuzuar ashpër kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, PD-ja nuk do të tolerojë sërish fyerjet dhe shpifjet e kreut të opozitës, por do t’i përgjigjet atij në të njëjtën mënyrë. “Kemi katër muaj që e duruam Ramën të shpifë dhe të kërcënojë ndaj nesh. Tani ne do t’i përgjigjemi ashtu siç ai e meriton. Rama dhe të gjithë ata që i shkojnë nga mbrapa në grupin e PS-së janë të korruptuar dhe pjesë e një klani mafioz. Ne nuk do të tolerojmë më, pasi kemi bërë zgjedhjet më të lira dhe më të ndershme që janë zhvilluar ndonjëherë”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë, ai i ka kërkuar deputetëve demokratë dhe zyrtarëve të lartë të kësaj partie të shfrytëzojnë çdo hapësirë në mediat lokale dhe ato qendrore, për të denoncuar aferat korruptive të kreut të Bashkisë së Tiranës dhe selisë rozë.
Deklarata
Kryeministri Berisha komentoi në mbledhjen e radhës së grupit të PD-së edhe protestën tre ditore të opozitës. Duke e lidhur atë me procesin e liberalizimit të vizave dhe aplikimit të Shqipërisë në BE, kreu i ekzekutivit theksoi se të gjitha përpjekjet kundër këtyre proceseve rezultuan të pasuksesshme. “Me këtë rast, dua të siguroj qytetarët shqiptarë se të gjitha përpjekjet për ta bllokuar këtë proces përfunduan në lumin Lanë, i mori Lana. Procesi po ecën në mënyrë të shkëlqyer”, u shpreh kreu i maxhorancës. Teksa bëri publike para deputetëve të PD-së mitingun e 8 dhjetorit, kryeministri tha se ajo do të jetë një festë ku do të marrin pjesë të gjithë shqiptarët. “8 dhjetori do të jetë festa e shembjes së “Murit të Berlinit”, në Tiranë. Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Evropën, për aspiratën tonë evropiane, e cila mori më 16 nëntor të këtij viti, thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE. Vendimi i 16 nëntorit është vendimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Berisha. Sipas tij “do të jetë një festë, e cila synon jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri që duhet të kapim deri më 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, me sa duket, do të votojnë edhe njëherë për këtë maxhorancë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›