E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Përgjigje të merituar thirrjeve për dhunë

 

Policia do të garantojë zhvillimin e protestave paqësore, por dhuna dhe thirrjet për dhunë do të marrin përgjigjen që meritojnë. Kështu u shpreh dje Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë një aktiviteti të policisë ku merrte pjesë edhe ambasadori amerikan, Xhon Uidhërs. “Policia e Shtetit ka garantuar dhe do të vazhdojë të garantojë në mënyrën më të plotë të drejtat kushtetuese të çdo qytetari dhe të çdo force politike për protesta paqësore. Dhuna dhe thirrjet për dhunë do të marrin përgjigjen e merituar ligjore”, tha Basha. Sipas tij “aktivizimi i kontigjentit kriminal nuk do të tolerohet. Ndaj bëj thirrje që të shkurajohet dhe të hiqet dorë nga aktivizimi i këtij elementi kriminal, përndryshe pa asnjë pikë hezitimi mbi ta do të vijë dora e rëndë e ligjit”. Gjatë ceremonisë së dhurimit të disa pajisjeve për trajnime mbi taktikat mbrojtëse të programit ICITAP Basha tha se: “Ligji “Antimafia” dhe ligji për konfiskimin e pasurive jane mjete të reja ligjore në luftën e pashtershme të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar. Një fazë e re ka nisur në luftën kundër mafias. Kjo luftë do të fitohet nga Policia e Shtetit. Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në javët dhe muajt e ardhshëm, ne do të intensifikojmë goditjen ndaj krimit të organizuar duke shënuar nivelet më të larta të kësaj lufte”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›