Dritëro Agolli mbush sot 80 vjeç, Basha: Njeri me vision të kthjellët
Sot patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli, mbush 80 vjeç. Akademia e Shkencave ka organizuar sot një veprimtari të posaçme për anëtarin e saj të nderuar, ndërsa janë të panumërt ata që e urojnë shkrimtarin e madh për ditëlindje.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vizitoi sot në mëngjes shtëpinë e Dritëro Agollit, dhe e uroi shkrimtarin e njohur për 80 vjetorin. Ai i uroi ditëlindjen shkrimtarit, dhe vlerësoi Agollin për rolin e tij në letrat shqipe dhe në sferën publike në përgjithësi.
Basha tha se Dritëroi është një nga autorët e mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe një figurë e dashur publike, me vizion të kthjellët, të qëndrueshëm dhe të pandikuar nga interesat e castit.
Agolli vlerësoi urimet dhe praninë e kryebashkiakut në shtëpinë e tij, dhe e përgëzoi zotin Basha për punën e tij në ditët e para në krye të Bashkisë. Agolli tha se ka besim tek angazhimi i brezit të ri në politikë dhe në marrjen e përgjegjësive.
Shkrimtari i njohur, firmosi tre nga librat e tij me një dedikim të veçantë për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka organizuar sot në sallën " Aleks Buda" një takim jubilar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe akademikut, Dritëro Agolli. Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë edhe ministri i Kulturës Aldo Bumçi dhe përfaqësues të institucioneve qëndrore të shtetit dhe të kulturës shqiptare.
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme "Zëri i popullit", dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje.
Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradizionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.
Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.