E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritëro Agolli sot 80 vjec, Basha vizitë në shtëpinë e shkrimtarit

TIRANE-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i ka uruar sot ditëlindjen e 80-të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli, i cili mban titulllin "Nderi Kombit".

Basha ka vizituar sot paradite shkrimtarin në banesë ku i ka shprehur urimet për ditëlindje. Kryetari i Bashkisë ka vlerësuar lart figurën e shkrimtarit, duke e cilësuar një figurë shumë të dashur publike. “Agolli është një personalitet me vizion të kthjellët dhe i pandikuar nga interesat e castit”.

Agolli vlerësoi urimet dhe praninë e Kryebashkiakut në shtëpinë e tij, dhe e përgëzoi për punën e tij në ditët e para në krye të Bashkisë, duke shprehur besimin tek angazhimi i brezit të ri në politikë dhe në marrjen e përgjegjësive.

Shkrimtari, firmosi tre nga librat e tij me një dedikim të veçantë për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Basha.
Dritëro Agolli, i cilësuar Homeri i gjallë e i vërtetë jo vetëm i Shqipërisë, por i mbarë qytetërimit modern, mban titulllin "Nderi kombit" (1988).
Vepra e tij letrare është përkthyer në shumë vende të botës si Francë, Gjermani, Itali, Rusi, Greqi, Spanjë, Rumani, Portugali, Norvegji, Siri, Izrael, Danimarkë etj.
Ai ka shkruar në të gjitha zhanret si në poezi, publicistikë, dramë, skenare filmash dokumentarë dhe artistikë.
Alen Boske, shkrimtar dhe kritik frëng ka shkruar për Agollin se: "Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha ... Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë europiane".
Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. Dritëro Agolli, është Anëtar i Akademisë së Firences "Muzat" në Itali. Ai është Qytetar Nderi i qyteteve të Korçës, Tiranës, Gjirokastrës etj.

Sot me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe akademikut, Dritëro Agolli Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizojnë në sallën "Aleks Buda" një takim jubilar. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve qendrore të shtetit dhe të kulturës shqiptare.

Ishte data 13 tetor 1931. Familja Agolli në Menkulas të Devollit, u shtua me djalë. Emrin ia vunë Dritëro… Vite ma pas, djaloshi nga Devolli do të bënte emër të madh me penën e tij si shkrimtar, e do të "dritëronte" në letrat shqipe. Vitin e kaluar Dritëro Agolli e festoi 79-vjetorin në shtëpinë e tij, madje festa ndjehej që një ditë më parë me fëmijët dhe nipat e mbesat. Me siguri edhe këtë vit për ditëlindje, familja e shkrimtarit do të presë e përcjellë të tjerë, do marrë urime për jetë të gjatë, për libra të rinj dhe dhurata pa fund, e padyshim plot buqeta me lule të freskëta!

Në një intervistë që ai i dha vjet "Gazetës Shqiptare" tha se "pleqtë dhe fëmijët e festojnë çdo vit ditëlindjen, fëmijët, sepse po rriten, ndërsa pleqtë se s'i dihet kur ikin, mund të vdesin dhe të afërmve iu mbetet peng që nuk ia festuan". Më tej në një bisedë të gjatë, ai ndante me lexuesit pengjet, momentet më të bukura, ëndrrat dhe kujtimet. 

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Dritëro Agolli sot 80 vjec, Basha vizitë në shtëpinë e shkrimtarit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›