Vrau të birin, gjykata e lë në burg, 72-vjeçari: Nuk pendohem
POGRADEC- Gjykata ka vendosur masë arresti me burg për 72-vjeçarin Njazi Kromollari, që vrau të birin me sëpatë tri ditë më parë, në një fshat të Pogradecit. Në sallën e gjyqit Kromollari, baba i 11 fëmijëve, ka thënë se nuk ishte penduar për krimin, pasi i biri e kishte dhunuar, madje edhe ditën e vrasjes ai ishte kthyer i dehur në shtëpi dhe ka qëlluar prindërit.
Në seancën e djeshme, 72-vjeçari është rrëfyer para trupit gjykues, duke deklaruar se të dy prindërit dhunoheshin vazhdimisht nga viktima, Kudret Kromollari, 33 vjeç. I pandehuri tregoi se ditën që vrau djalin, i biri kishte ardhur si përherë i dehur në shtëpi dhe kishte nisur ta keqtrajtonte siç bënte zakonisht. Pas kësaj i moshuari e ka goditur atë me sëpate, duke i marrë dhe jetën. Në seancën e djeshme, akuza ka kërkuar arrest me burg për 72-vjeçarin, ndërsa ka shpjeguar edhe njëherë skenën e krimit. Kurse sipas palës mbrojtëse, i pandehuri kishte shenja dhune në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, gjë që është vërtetuar edhe me herët nga raportet mjeko-ligjore. Gjykata e Pogradecit kishte lëshuar para tragjedisë një urdhër mbrojtjeje për dy të moshuarit Kromollari, prindërit e viktimës, duke u bazuar në kërkesën e bërë nga këta te fundit dhe në raportin e lëshuar nga mjekësia ligjore, ku vërtetohej dhuna e pësuar. Në seancën e djeshme, i pandehuri është mbështetur edhe nga të afërm të tij, të cilët kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit. Njazi Kromollari është babai i 11 fëmijëve, ndërkohe që viktima ishte fëmija i shtatë i tij. I moshuari masakroi me sëpate të birin brenda në shtëpinë e tyre, në fshatin Verdovë, vetëm pak ditë më parë. Viktima ishte martuar pak kohë më parë dhe e shoqja është në muajin e tretë të shtatzënisë.