Moti i ftohtë, 40 pacientë me viroza në ditë
Gjirokastër -Ulja e ndjeshme e temperaturave të motit gjatë ditëve të fundit në Qarkun e Gjirokastrës ka rritur edhe shqetësimet e pacientëve, për shkak të prekjes nga virozat e stinës. Ndryshimet klimaterike kanë rritur numrin e pacientëve që paraqiten pranë qendrave shëndetësore në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore si pasojë e shqetësimeve shëndetësore të shkaktuara nga gripi. Sipas mjekëve të urgjencës në spitalin e Gjirokastrës, gjatë ditëve të fundit janë paraqitur rreth 40 pacientë në ditë për të marrë ndihmën mjekësore për shkak të prekjes nga virozat e stinës. Pjesa më e madhe e tyre janë fëmijë të moshave të vogla dhe të moshuar. “Pacientët paraqiten me dhimbje koke, temperaturë të lartë, të vjella etj”, - thonë mjekët e spitalit të Gjirokastrës. Ndërkohë, i lartë ka qenë edhe numri i pacientëve me grip që paraqiten për të marrë ndihmën e parë mjekësore në qendrat shëndetësore dhe kryesisht në zonat malore të Qarkut. Në këtë situatë, mjekët këshillojnë mbajtjen e fëmijëve të vegjël në ambiente të ngrohta dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve e frutave. B.SH