E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëroi: Negociatat e vonuara, të hapen kutitë

Shkrimtari dhe politikani, Dritëro Agolli, analizon situatën politike në vend, sugjeron zgjidhjen e krizës politike dhe kritikon ngritjen e komisionit për masakrën e Tivarit


Shkrimtari dhe politikani, Dritëro Agolli, vlerësoi dje se negociatat midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste janë shumë të vonuara. Nga ana tjetër, ai vlerësoi si zgjidhje të krizës politike në vend hapjen e kutive të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit për disa zona të caktuara.


"Të dy forcat politike, qoftë Partia Demokratike dhe qoftë Partia Socialiste, kanë bërë një gabim të madh që nuk i kanë filluar me herët negociatat. Janë të dyja këto parti që kanë bërë një gabim me Kodin Zgjedhor, nuk menduan se çfarë vjen më pas.


Me optimizëm të madh e pranuan këtë Kod Zgjedhor, sepse në atë kohë ishin si një sofër pak të dehur, me entuziazëm të madh për ta pranuar. Pasi i doli dehja ata menduan: More çfarë bëmë, gjënë që s'duhet. Dhe tani filluam debatet që të hapen dhe të mos hapen", analizon situatën politike Agolli.


Për sa i përket çështjes së zgjidhjes së krizës politike në vend, njëri prej themeluesve të Partisë Socialiste i sugjeron politikës shqiptare që të hapen kutitë në disa vende ku janë edhe dyshimet më të mëdha.


Në të kundër, thotë ai, kjo situatë do të ndikojë negativisht, duke rritur pakënaqësinë në popull. "Fjala vjen, kutitë të hapen në Berat që kanë ato dyshime më të mëdha, në Tiranë dhe në Shkodër, por jo të gjitha kutitë, por mund të hapen dokumentet e kutive, çfarë ka në këto dokumente, të cilat hyjnë edhe në arkivë", sugjeron Dritëro Agolli.


Krahas kësaj, ai shpreson se mund të ketë një zgjidhje. Sipas tij, populli ka bërë lëshime ndaj dhe partitë duhet një herë të bëjnë lëshime. Për të, vetëm liderët nuk bëjnë lëshime.


Patriarku i PS vlerëson se sado të zotë të jenë liderët, nuk janë deri në fund përfaqësues të përjetshëm të popullit dhe ndaj nuk duhet ta monopolizojnë përgjegjësinë qytetare "Kam një shpresë që mund të arrijnë në një përfundim.


Sepse, në qoftë se nuk arrijnë, atëherë do të jetë një gjë jo e kënaqshme edhe për popullin, se populli ka parë shumë pashallarë pas historisë, me qindra pashallarë, por është po ai popull dhe këtë duhet ta venë në mend që ta zgjidhim këtë problem, se populli sot do dhe nesër të rrëzon", vlerëson themeluesi i Partisë Socialiste.


Një tjetër ngjarje shumë e rëndësishme nuk mund të qëndrojë larg vëmendjes së shkrimtarit të madh, bëhet fjalë për ngritjen e Komisionit Parlamentar për masakrën e Tivarit, për të cilën ai vlerëson se ngritja e kësaj ngjarjeje nga mazhoranca shqiptare, është teatër politik, antikombëtar, përçarës dhe një çështje që nuk i përket aspak vendit tonëe.


"Unë mendoj që kjo është thjeshtësisht një teatër politik, e ngre mazhoranca këtë problem për t'ia paraqitur popullit që këta janë pasardhësit e komunisteve që kanë bërë masakra të mëdha, i takon që ta gjykojë Kosova dhe Serbia, se atje ka ndodhur kjo gjë", theksoi Dritëro Agolli. Sipas tij, këtë çështje duhet ta zgjidhin serbët dhe Kosova që tashme është shtet dhe Shqipërinë nuk i përket kjo çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›