Sfida e Priftit, Rama: Kam 7 vite që dhuroj gjak

Kryesocialisti: Ligji i SHISH po na fut në sherr me NATO dhe SHBA. I lumtur, që projekti mizerabël u tërhoq
"Sipas ligjit, çdo dhurim gjaku bëhet nën monitorimin e rreptë të strukturave të shtetit"
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është përgjigjur dje për herë të parë, akuzave të bëra nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, për përdorim substancash të dyshimta, duke deklaruar se ka mbi shtatë vite që jep rregullisht gjak, që do të thotë se prej kohësh është nën monitorimin e strukturave të shtetit.
Në këtë mënyrë, ai ka dhënë përgjigje për sfidën dhe akuzat e bëra nga ministri i Ekonomisë se nëse kreu i PS do të bënte analizat e gjakut, atëherë do të japë dorëheqjen nga posti ministror.
"Unë kam shtatë ose më shumë vite që jap gjak rregullisht dhe, sipas ligjit, çdo dhurim gjaku për ata që kanë nevojë është nën monitorimin e rreptë të strukturave të shtetit. Kjo është një përgjigje për të kujtuar edhe njëherë domosdoshmërinë që të kontribuojmë të gjithë me dhurim gjaku për ata që janë në nevojë", deklaroi Rama.
Në daljen e djeshme për mediat, lideri i opozitës vuri theksin edhe tek ligji i SHISH, duke vlerësuar se ky është një projekt që tejkalon cakun e vendimit të tyre politik. I pyetur nëse deputetët socialistë do të votojnë kundër, Rama tha se në këtë projekt përfshihen interesa jo vetëm kombëtare, por edhe strategjike.
"Cenohen jo vetëm interesat e vendit, por edhe interesat e partnerëve tanë më të mëdhenj, e atyre që e morën Shqipërinë për dore dhe e futën në NATO. Të cilëve, nuk ka burrë në këtë vend që të mund t'u përplasë derën, duke iu krijuar Shqipërisë dhe shqiptarëve një sherr, për të cilin Shqipëria dhe shqiptarët, jo vetëm që nuk janë të gatshëm, por për të cilin, janë absolutisht të gatshëm të refuzojnë këdo që e provokon një sherr të tillë", theksoi kreu i PS.
Ndërsa pyetjes se nëse PS do të bashkojë votat me LSI-në për ligjin e SHISH dhe për ta bllokuar, lideri i opozitës tha se ata nuk bashkojnë votat me askënd. Ai sqaroi se PS voton ashtu siç e shohin të arsyeshme në bazë të parimeve dhe vlerave që e bëjnë të quhen Partia Socialiste e Shqipërisë.
"Pastaj se kush janë të tjerët që mbajnë të njëjtin qëndrim, ky nuk është as problemi dhe as detyrimi ynë. Sigurisht, që jemi të kënaqur që ai projekt mizerabël që cenon interesat e vendit, që cenon interesat dhe partneritetin strategjik me NATO-n, cenon po njësoj interesat e partneritetit me SHBA, mori përgjigjen e merituar", vijoi Rama.
Këtë përgjigje, nënvizoi kryesocialisti, do ta marrë edhe më të fortë në rast se kryeministri do të vazhdojë kokëfortësisht të këmbëngulë, për arsye shumë të errëta, për miratimin e atij projekti ogurzi, jo thjesht për vendin, por edhe për marrëdhënien e vendit me NATO dhe SHBA.
Lideri i PS komentoi gjithashtu edhe negociatat që po zhvillohen midis Ruçit dhe Patozit, duke deklaruar se zgjidhja e vetme është transparenca dhe ajo nuk duhet zvarritur.
"Për çështjen e hapur të krizës politike, unë dua të them thjeshtë dhe qartë: receta e zgjedhur nga doktori, për sa i takon transparencës, duke zvarritur transparencën, është po aq e kundër efektshme sesa receta e zgjedhur për sëmundjen e ekonomisë që shkon duke u thelluar. Përgjegjësinë në të dyja rastet do ta mbajë doktori", paralajmëroi Edi Rama.