E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga, DASH: Shqipëria, tranzit, progres modest

Departamenti Amerikan i Shteti ka publikuar sot raportin për Kontrollin e Narkotikëve, në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria.

Ajo çfarë thuhet në raport është se Shqipëria ka bërë një progres modest në luftën kundër trafikimit, duke theksuar se, qeveria shqiptare nuk i kushton shumë rëndësi kësaj çështje, për shkak se ka çështje të tjera më të ngutshme për tu trajtuar.

Shqipëria konsiderohet një vend tranzit, ndërsa me përjashtim të kanabisit, vendi ynë nuk konsiderohet  një prodhues i rëndësishëm i drograve të paligjshme.

Hyrje

Konfiskimet e drogës dhe ndjekjet penale vazhdojnë të mbeten në të njëjtat nivele si të një viti më parë.  Por përpjekjet për të luftuar trafikun e narkotikëve pengohen nga mungesa e burimeve, korrupsioni,  dhe vullneti politik. Shqipëria është një vend tranzit për në Evropën perëndimore. Grupet e krimit përfitojnë nga pozita gjeografike strategjike e Shqipërisë, kontrolli i kufijve dhe zbatimit në mënyrë jo të barabartë të ligjit.

Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm i drograve të paligjshme, si dhe i sasive të mëdha të kimikateve apo drograve sintetike. Për shkak të çështjeve të tjera shumë të ngutshme, qeveria në Shqipëri nuk është në gjendje t’i kushtojë shumë kohë apo burime abuzimit me drogën. Nuk ka të dhëna për nivelin e përdorimit të drogës në Shqipëri, por disa të dhëna flasin për një përdorim në rritje, veçanërisht në mesin e të rinjve.

Ka disa prova që tregojnë se Shqipëria po bën një progres modest në fushën e narkotikëve. Zonat kryesore të përmirësimit janë operacionet anti- trafik, zbatimi më i mirë i ligjit, kontrollet kufitare që çuan në rritje  të arrestimeve dhe sekuestrimeve në nëntë muajt e parë të 2011.

Pjesë nga raporti

Në nëntë muajt e parë të vitit 2011 Policia e Shtetit Shqiptar (ASP) arriti të sekuestronte në total sasi më të mëdha narkotikësh se një vit më parë. Që nga janari 2011, Policia e Shtetit ka arrestuar ose paraburgosur një total prej 507 personash për trafik droge, dhe 168 të dyshuar të tjerë. 96 prej këtyre të arrestuarve ishin për trafikimin e heroinës dhe 357 për trafikimin e marijuanës apo kultivimin e narkotikëve. Policia e Shtetit ka konfiskuar 4728 kg marijuanë të përpunuar.

Kultivimi i marijuanës ka rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit si pasojë e masave të dhunshme gjithnjë e në rritje kundër trafikantëve dhe kultivuesve. Nuk ka snjë dëshmi për kultivimin apo prezencën e laboratorëve për prodhimin e drogave sintetike apo kimike. Tregtia e drogës sintetike gjithashtu mbetet pothuajse inekzistente.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa hapa modeste për të trajtuar uljen e kërkesës, megjithatë kjo nuk është ende një çështje e trajtuar gjerësisht. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë pranon se përdorimi i drogës është në rritje, sidomos në mesin e të rinjve, nuk ka statistika që përcaktojnë shtrirjen e problemit. Shqipëria ka rregulla të mangëta mbi shitjen e benzodiazepines, të cilat shiten mbi banak, dhe abuzimi me këto medikamente besohet se është në rritje.

Korrupsioni mbetet një problem i ngulitur thellë në Shqipëri. Pagat e ulëta, pranimi i ryshfetit dhe rrjetet e forta sociale në Shqipërisë e bëjnë të vështirë për ta luftuar korrupsionin në mesin e policisë, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave. Në vitin 2010, policia dhe prokurorët kanë qenë aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të zbatimit të ligjit për korrupsion. Edhe pse numri i përgjithshëm i rasteve të hetuara ka rënë me 3.9%, prokurorët ka pasur sukses në 17.3% të rasteve të referuara në gjyq. Gjatë vitit 2010, sistemi i prokurorisë regjistroi 534 nga 555 raste në vitin 2009. Megjithë rritjen e rasteve, numri i vendimeve që kanë shpallur të pandehurit fajtor ra nga 211 në 162, një rënie me 23%. Disa vendime duken të dyshimtë, duke dëshmuar se pavarësia e gjyqësorit vazhdon të jetë një problem.

Përfundime

Progresi është ende i ngadalshëm për shkak të pengesave politike dhe burokracive. SHBA, së bashku me BE-në dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë, do të vazhdojë të punojnë me qeverinë shqiptare për të luftuar trafikimin e paligjshëm të drogës dhe për të nxitur reformat e vazhdueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›