E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria çon në Gjykatë dosjen Prifti- Beqiraj

Pamje nga video

TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar sot në Gjykatën e Lartë dosjen penale ndaj ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe zëvendësit të tij, Leonard Beqiraj. Dy ish- zyrtarët e lartë të Shtetit akuzohen për korrupsion pasiv. Rreth një muaj më parë , prokurori Bujar Sheshi kishte firmosur zgjatjen me një muaj të afatit hetimor të dosjes penale ndaj ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe Beqirajt. Në videon e xhiruar nga vetë Dritan Prifti, shfaqet ai dhe zëvendësi, Leonard Beqiraj duke ndarë mes njëri- tjetrit 69 mijë euro.

Videoja në shtëpinë e Priftit

Regjistrimi i fshehtë që është bërë objekt hetimi pasi u rikuperua nga eksperti amerikan në kompjuterin e Dritan Priftit, zgjat rreth 45 minuta. Bazuar në dialogun e zbardhur nga Prokuroria, shuma financiare fillimisht ka qenë 100 mijë euro, por në bisedë me Priftin, Leonard Beqiraj sqaron se ia ka dhënë dikujt 30 mijë euro dhe i kanë mbetur 70 mijë. Ai ka shkuar në fakt në banesën e Dritan Priftit me 69 mijë euro, pasi siç del nga biseda, edhe një mijë euro nga ato që mbante zv.ministri i ka marrë shtetasja me emrin Rezarta. Në bisedën mes ministrit dhe zv.ministrit të asaj kohe (mars 2010) flitet për disa emra, aty përmendet Gjergji i boteve, mesa duket një person nga Vlora që merret me tregti nafte, më tej flitet për shtetasin Piro Bare dhe Ilir Kashirin dhe në fund, Beqiraj përmend edhe një shtetas tjetër me emrin Nardi. Sipas Prokurorisë, personat e mësipërm përmenden në tentativën e zyrtarëve për përfitim financiar nga këta shtetas privatë.

Historia e videos

Videoja mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga eksperti amerikan që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë. Teksa po shikonte për origjinën e videos Meta-Prifti, specialisti amerikan arriti të rikuperonte regjistrimin Prifti-Beqiraj. Kjo video ishte fshirë prej memories së dukshme të laptopit nga Dritan Prifti, para dërgimit të pajisjes në Prokurori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›