E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, OKB: Bie konsumi i kokainës

Bie konsumi i kokainës në rang botëror, i opiumëve dhe i kanabisit, ndërsa është shqetësues shtimi i konsiderueshem i prodhimit dhe i konsumit të drogave sintetike, si anfetamina, metamfetamina dhe ekstazi, mbi të gjitha në vendet me ekonomi më të zhvilluar. Një konkluzion i tillë është bërë i ditur nga një raport i publikuar së fundmi nga agjensia e Kombeve të Bashkuara, departamenti për substancat narkotike. Raporti është prezantuar të mërkurën në Uashington. Studimet e kryera nga OKB kanë arritur në konkluzionin se kërkesa globale për droga si kokainë, kanabis dhe heroinë po stabilizohet dhe në disa raste po bie ndjeshëm. Raporti vjetor i OKB-së për drogën në botë thotë se kultivimi i opiumit në Afganistan, ku prodhohej mbi 90% e opiumit në botë ka rënë me rreth 20%. Raporti informon se Kolumbia po prodhon afro 30% më pak kokainë. Megjithatë, po sipas raportit, prodhimi i drogës sintetike si ekstazia dhe amfitaminat po rritet, veçanërisht në laboratorë të Azisë Juglindore. Ekspertë dhe zyrtare të OKB-së raportojnë, se përveç tregut për drogë të paligjshme, pjesë të Evropës Lindore dhe qëndrore janë rrugë kryesorë të trafikut. Në të kaluarën, më shumë është trafikuar heroina që vjen nga Azia Qëndrore ose Turqia dhe që kalon në Ballkan drejt tregut europian. "Por kohët e fundit është vënë re një tendencë e re që ka parë më shumë kokainë të trafikohet nëpërmjet kësaj rruge tradicionale", informon raporti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›