“Qerreti II”, pranga dy personave, trafikonin armë nga Mali i Zi
TIRANË – Blinin armë në Mal të Zi dhe më pas i shisnin në Shqipëri më shtrenjtë. Arrestohen dy trafikantët. Policia e Tiranës bën të ditur se ditën e djeshme, në sajë të operacionit policor të koduar “Qerreti II”, ka vënë në pranga Arif Zelon dhe Ermir Dalipajn. “Bazuar në një plan të posaçëm operacional me qëllim finalizimin e operacionit ‘Qerreti II’, u mundësua arrestimi në flagrancë i shtetasve Arif Banush Zelo, 52 vjeç, banues në fshatin Dushk, Lushnjë, i proceduar disa herë më parë për veprën penale të ‘vjedhjes’ dhe të ‘trafikimit të lëndëve narkotike’, si dhe Ermir Sefedin Dalipaj, 32 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Këta shtetas u kapën në flagrancë në segmentin nacional në afërsi të fshatit Qerret në Kavajë, gjatë kohës së qarkullimit me automjetin tip “Benz”, me targë LU 0692 C, ku pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetin e tyre, u bllokuan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të tipit pistoletë Zastava me 50 copë fishekë, si dhe një silenciator. Gjatë kontrollit të banesave të tyre iu gjetën dhe sekuestruan edhe dy pistoleta të tjera model 27 dhe Zastava model 70, si dhe një armë zjarri automatik me 50 fishekë të tjerë pistolete. Në sajë të hetimeve u arrit në përfundimin se këta persona armët i siguronin duke i blerë në Malin e Zi, më pas, duke kaluar në mënyrë ilegale përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Muriqanit, me qëllim tregtimin në Shqipëri të tyre. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë.
Arrestohet i dënuari me 14 vite burg
SHKODËR – Arrestohet i dënuari me 14 vite burg për trafik të lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për 36-vjeçarin Aranit Volumi, banues i qytetit të Shkodrës, kapja dhe arrestimi i të cilit u bë pasi ndaj tij rëndonte vendimi i gjykatës me 14 vite heqje lirie. Nga ana e policisë, pas marrjes së informacioneve për vendndodhjen e të kërkuarit Volumi, u organizua menjëherë puna për kapjen e tij. Më tej u kryen veprimet e duhura procedurale dhe hetimore, ndërsa Aranit Volumi tashmë pritet të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkodrës.
4 Mars 2010