Drogat, 80 mijë përdorues në Shqipëri
Numri i përdoruesve të drogës në vendin tonë nuk po njeh ulje. Aktualisht Shqipëria numëron disa dhjetëra mijëra përdorues të rregullt të narkotikëve. Ky numër mendohet se arrin në 80 mijë, 14 mijë prej të cilëve përdorin heroinën, por mungesa e statistikave krijon hapësira edhe për më shumë. Përdoruesit janë të moshave dhe shtresave të ndryshme sociale, por së fundmi në vendin tonë vihet re një rritje e numrit të përdorueseve femra. Përqindja e atyre që vendosin të trajtohen në qendra rehabilitimi është shumë e vogël, krahasuar me numrin e përdoruesve. Kjo për shkak të mentalitetit, varësisë nga droga, por edhe sepse në Shqipëri ka shumë pak qendra të tilla dhe mbështetja nga shteti është e papërfillshme. Përsa i përket moshës, 80 % e përdoruesve të drogave janë adoleshentë dhe nisin të pinë fillimisht kanabis. Numrin më të lartë të përdoruesve, përveç Tiranës, e kanë edhe disa qytete, si Vlora dhe Durrësi etj.