Drogë drejt Greqisë, arrestohet studenti 21 vjeçar
GJIROKASTER- Policia e Gjirokastrës, arreston një student të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas policise, ne pranga eshte vene 21 vjecari dibran Indrit Muliu student i vitit të tretë në degën e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin Eqrem Çabej në Gjirokastër. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, pati nxjerrë një ditë më parë, urdhër-ndalimin për 21 vjecarin nga Dibra pasi rezulton të jetë i përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës.
Konkretisht më 11 qershor të këtij viti, gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar nga ana e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, në vendin e quajtur Gryka e Bogazit përballë fshatit Radat të rrethit Gjirokastër pranë kufirit të gjelbër me Greqinë, u kapën dhe më pas u sekuestruan rreth 75 kg marijuanë. Bashke me lëndën narkotike, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, si dhe u shpallën në kërkim policor tre të tjerë. Njëri prej tyre, ishte studenti Indrit Muliu i cili shëtiste i lirë dhe ndjek studimet në Gjirokastër i pashqetësuar nga policia.
Muliu së bashku me personat e tjerë, në orët e para të mëngjesit të 11 qershorit, ishin duke transportuar katër çanta me lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, por në momentet e fundit, janë bllokuar nga forcat policore ndërkohë që 21 vjecari dibran, mundi ti shpëtonte arrestimit momentin e parë.
Pas arrestimit, Muliu, është cuar në kryeqytet në dhomat e paraburgimit për llogari të Krimeve të Rënda. Mbi të, rëndon vepra penale e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotikëve në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Piro Nase