PR: Të hiqet pragu i 3% për hyrjen në Kuvend
Ndërsa dy partitë e mëdha kanë stopuar negociatat për reformën zgjedhore, të “vegjlit” e politikës shqiptare insistojnë në realizimin e saj sa më parë. Pas Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila paraqiti një draft konkret propozimesh për reformën në Kodin Zgjedhor, edhe aleatët e tyre, republikanët, kanë bërë një hap para dje duke bërë publike pretendimet e tyre në këtë aspekt. Ish-anëtari republika i komisionit të shkuar për reformën zgjedhore, Arjan Madhi, ka zbardhur dje një sërë propozimesh që kanë të bëjnë kryesisht me sistemin dhe pragun elektoral. Sipas tij, pragu elektoral prej 3% të votave nuk ka kuptim, pasi penalizon në mënyrë të padrejtë partitë e vogla, ndaj duhet hequr, ndërkohë që propozon dhe ndryshimin formulës së shpërndarjes së mandateve. “Sipas formulës aktuale ndodh, siç ka ndodhur në Parlamentin Shqiptar, që një partie politike i ka rënë mesatarisht 9800 vota për një mandat dhe një partie politike i ka rënë 32000 vota për një mandat. Por ndryshe nga çfarë artikulohet se kjo është çështje sistemi, për Partinë Republikane kjo nuk është një çështje sistemi, por e një dispozite në kod, e cila heq formulën e përllogaritjes së De Hondit dhe fut një formulë shumë të thjeshtë, që merr në konsideratë edhe korrektimin kombëtar më pas, tha Madhi. Gjithashtu PR shprehet kundër listave të mbyllura të kandidatëve për deputetë, pasi një mënyrë e tillë, sipas tyre, nuk sjell në Parlament figurat më të mira. Sipas republikanëve, deputet duhet të bëhet ai kandidat që ka marrë më shumë vota.