E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi, edhe këtë vit semafori i kuq!

Gjatë konferencës për shtyp, ai ka prezantuar më gjerësisht progres raportin për vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian inkurajon forcat politike në Shqipëri për të rivendosur dhe mbajtur një nivel të dialogut politik, duke lejuar funksionimin e institucioneve kryesore demokratike dhe zbatimin e reformave thelbësore.

“Progresi politik u vështirësua nga ngërçi i vazhdueshëm politik dhe të tjera probleme. Kohët e fundit kemi patur disa sinjale pozitive. Partitë politike u zotuan të bashkëpunojnë dhe kjo ka një rëndësi kyçe për të përparuar në rrugën e integrimit për në Bashkimin Evropian. Flas edhe në emër të Parlamentit Evropian për të ndihmuar të gjitha palët në Shqipëri të kapërcejnë mosbesimin personal dhe të gjejnë një bazë që qeveria të sigurojë kushtet për një proces gjithëpërfshirës, ku opozita të jetë partner konstruktiv”, tha Fyle në pjesën për Shqipërinë.

Një vit më parë, Shqipëria mori 12 kritere për t’i përmbushur, por që prej asaj kohe, klasa politike bëri shumë pak, për të mos thënë fare në këtë drejtim. Për nëse Mali i Zi dhe Serbia janë gati për të çelur negociatat, ndërsa Kroacia thuajse është anëtare e Bashkimit Evropian, për Shqipërinë, “treni” integruese është ende larg thuajse jashtë shinave.

Shkaku është klasa politike në Tiranë, e cila për të zgjidhur një problem ose për të kryer një reformë i duhen muaj të tërë dhe sërish, për të njëjtën reformë të miratuar me konsensus, pakënaqësitë janë të mëdha.

Nuk dihet nëse vitin tjetër do të jemi gati, por me ritmin e tanishëm të bashkëpunimit midis dy forcave të mëdha politike, zor të besohet se do të rifitohet koha e humbur.

Fyle: Ngërçi pengoi Shqipërinë

Bruksel (12:53)– Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Stefan Fyle, po raporton në komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku ka dhënë lajme të mira për disa nga vendet e rajonit, ndërsa për Shqipërinë, ashtu sikurse edhe pritej, “semafori ishte i kuq”.

Fyle kërkoi nga klasa politike në vendin tonë bashkëpunim për të përmbushur kriteret e integrimit. “Do të doja të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar, Komisioni Evropian ka caktuar 12 rekomandime për Shqipërinë, megjithatë progresi është penguar nga ngërçi politik. Kjo gjë pengon të gjitha përpjekjet tona. Partitë politike të rifillojnë dialogun si dhe duhet të rigjejnë pikat e bashkëpunimit midis tyre”, tha ai para pak çastesh.

Duke folur për vendet e rajonit, Fyle theksoi se Mali i Zi ka punuar shumë duke urdhëruar hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova sipas tij, ka probleme ashtu sikurse edhe Serbia. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-12 14:53
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›