E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot raporti, Shqipëria notë negative për statusin

Ngërçi që ka shoqëruar jetën politike të Shqipërisë gjatë vitit të shkuar duket se do të penalizojë dhe një herë shqiptarët për sa i përket ëndrrës së tyre integruese europiane. Komisioneri për zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, pritet të publikojë sot në Bruksel progres raportin për Shqipërinë, esenca e të cilit tashmë është publikuar dhe nga agjencia zyrtare e BE-së, “EuObserver”, ku thuhet se “Shqipëria ka bërë përparim të kufizuar në mes të një bllokimi politik që nga zgjedhjet e fundit elektorale”. Konstatim ky që do të shoqërohet edhe me mungesën e një përgjigjeje pozitive edhe përsa i përket aspektit të vendit kandidat. Ndërkohë që nga një kopje e këtij progres-raporti përfaqësuesi më i lartë i BE-së në vendin tonë, Etore Sequi, do t’ua dorëzojë gjatë ditës së sotme edhe drejtuesve më të lartë politikë dhe shtetërorë në vend, përfshi këtu kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Ndërkohë që më vonë gjatë pasdites Sequi, siç është bërë traditë tashmë edhe nga paraardhësit e vet, do ta bëjë publik raportin edhe për mediat gjatë një konference të posaçme për shtyp. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment sa i përket përmbajtjes së progres raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë në vitin 2011, duke ftuar të gjithë të presin publikimin e tij gjatë ditës së sotme. “Nesër kemi shumë gjëra për të thënë.” - tha ambasadori Sequi, në promovimin e revistës “Eurospeak”, e cila do të ketë si bazë informimin e shqiptarëve për integrimin europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›