Drogë nga Lazarati, bllokohen 300 kg
GJIROKASTËR- Një sasi prej 300 kg lëndë narkotike është sekuestruar nga uniformat blu të Gjirokastrës, ndërsa transportuesi i saj është vendosur në pranga. Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se lënda narkotike është marrë në fshatin Lazarat dhe po transportohej drejt Sarandës, ndërsa destinacioni final i saj ishte Greqia, ku do të trafikohej nëpërmjet kufirit detar.
Sipas policisë, në vendin e quajtur "Qafa e Muzinës", në aksin rrugor Gjirokastër - Sarandë drejtuesi i automjetit ka konstatuar se po ndiqej nga policia dhe ka lëvizur me shpejtësi të madhe në drejtim të Sarandës, i ndjekur nga shërbimet e policisë. Ndjekja ka vazhduar deri në vendin e quajtur Ura e Kranesë, ku është kërkuar edhe ndihma e komisariatit të policisë Sarandë me qëllim që të bëhej bllokimi i rrugës, që është bërë 500 metër larg këtij vendi. :Drejtuesi i automjetit porsa ka parë postbllokun është kthyer me shpejtësi për në drejtim të Gjirokastrës, por edhe në këtë drejtim rruga ishte e bllokuar nga shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilat kishin bërë edhe ndjekjen e tij deri aty"- thanë burimet policore.
Sipas tyre, për t'i shpëtuar kapjes së policisë drejtuesi i automjetit ka hedhur makinën në një kanal dhe është larguar me vrap nëpër fushë, por është kapur.
Lënda narkotike prej 300 kilogramë po transportohej me automjetin tip Xhip Shevrolet, me targa false GJ 3632 A, nga 30 vjeçari Bledar Andoni, i dënuar më parë me 6 vjet burg për veprën penale të "Trafikut të femrave për qëllim prostitucioni, mbetur në tentativë", I cili është arrestuar në flagrancë. Ky është rasti i dytë i goditjes së trafikut të lëndëve narkotike brenda harkut kohor të një jave.