Drzewiecki dhe një leksion për piano

Një përvojë e veçantë për gjuhën e artistit me tingujt, ritmin, dinamikën, energjinë. Virtuozi polak Stanislaw Drzewiecki, në Tiranë vetëm për një natë, tregon për muzikën, teknikën dhe mjeshtërinë, studimin dhe jetën private.
Koncerti i pianistit Stanislaw Drzewiecki-n dy net përpara në Akademinë e Arteve, është nga ato raste të pakta kur publiku dhe artisti flasin të njëjtën gjuhë, komunikojnë në eter dhe kanë një pëlqim reciprok qysh në fillim.
Në muzikën e Drzewiecki-t ndihej harmonia, dinamika, energjia e që buronte nga thellë tij, e çliruar nga truket. Pas tri herë "bis", ai interpretoi tri pjesë për kënaqësinë e publikut, krahas "Koncert për piano" të Shopenit, duke u kthyer pas sa herë që duartrokitjet s'kishin të mbaruar.
Në rrobën e virtuozit, Stanislaw Drzewiecki-n ishte klasik dhe zor se mund të mësoje diçka prej sjelljes së tij të jashtme. Ndryshe linte përshtypjen 22-vjeçari pas koncertit, ku me thjeshtësi dhe i qeshur, i çiltër dhe i çliruar flet për shumë gjëra, për muzikën dhe kompozitorët, teknikat dhe mjeshtërinë, studimin dhe jetën private.
Stanislaw, sonte publiku e shprehu qartë kënaqësinë që i dha interpretimi yt. Ti si u ndjeve?
Nuk është mirë t'i bëhet artistit kjo pyetje. Shpesh publiku e pëlqen interpretimin, por artisti vetë nuk e pëlqen atë.
Ose e kundërta. Kur ngjitem në skenë kam një plan dhe përpiqem të luaj ashtu siç e kisha parashikuar. Nuk ndodh kurrë. Nuk mund ta realizosh 100 për qind, nëse është më shumë, 70 për qind, është mirë. Por, herën tjetër duhet të jetë më mirë. Nëse luaj njësoj herën tjetër është një gjë vërtet e keqe. Unë duhet të ndihem mirë për veten time.
Nuk e di vërtet nëse dhashë 70 për qind sonte, por kjo ka të bëje me mua. Askush nuk do ta dijë këtë, askush nuk mund ta dijë. Ka të bëjë me planin që kisha në kokë. Koncerti mund të jetë i mirë, por unë mund të mos jem i lumtur.
Pas këtij koncerti kemi në kokë figurën e një virtuozi në skenë, një tip asketi që e bën punën e tij më së miri me sy mbyllur.
Zakonisht unë nuk shoh fare se çfarë ndodh rrotull. Thjesht eci drejt në skenë dhe ulem. Jam i përqendruar tek muzika. Nëse më pyet se sa njerëz ishin në koncert sonte, nuk e di ta them. Kjo më ndodh sepse jam duke menduar çfarë dua të luaj dhe si dua ta luaj. Dhe nuk dua të vëzhgoj gjëra të tjera.
Nga portreti juaj publiku e kish të vështirë të mësonte ndjesitë që përjetoje përmes muzikës. Përse kaq i mbyllur?
Bezdisem kur shoh artistë që luajnë me portretin e tyre jo me duart. Dhe kjo ndodh shpesh. Është shumë e thjeshtë që pianisti të mendojë sesi do ta luajë një pjesë. Unë preferoj të di atë që dua të bëj, por dua ta realizoj atë, jo vetëm ta di.
Dua të përqendrohem tek tingulli, të dëgjoj atë që po luaj. Sikur jam ulur në një sallon, jo në skenë. Fytyra nuk më ndihmon. Kam nevojë të përqendrohem në atë që bëj dhe kam nevojë të jem i qetë për ta bërë këtë gjë.
Si arrin "të mos e përfillësh" teknikën e të arrish harmoninë e tingujve?
Mendoj se të gjitha problemet teknike nuk janë tek duart, por në mendje. Kur trajnoj të rinj shoh që është një problem i zakonshëm. Ata kanë duart të mira, por nuk dinë t'i përdorin. Nuk ka të bëjë me praktikën. Ti mund të praktikohesh 5 orë dhe të mos asnjë rezultat. Ka të bëjë me mendimin.
Cili ka qenë publiku më i madh që ka ndjekur një koncert tëndin?
Me siguri që publiku më i madh ka qenë gjata transmetimi "live" në Bergen, të Norvegjisë, në një konkurs televiziv. Kishte 8 milionë njerëz që ndiqnin nëpërmjet ekranit. Po të flasim për performancat "live" kam interpretuar në stadiumin e Polonisë, përpara 9000 njerëzve.
Bëhej fjalë për një koncert normal. Kurse në Carnegie Hall të Nju Jorkut kishte 3000 vetë.
Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme kjo e Bergen-it, sepse unë hipa në skenë dhe kuptova që shumë njerëz ishin duke më parë në atë moment.
Ke luajtur me orkestra të mëdha në mbarë botën. Ç'mendim ke për këtë
të Radio-Televizionit Shqiptar?
Dje, në provën e parë u përpoqëm të ndjenim njeri-tjetrin. Ndodhi diçka e çuditshme. Nuk arritëm ta ndjenim njeri-tjetrin.
Sonte në mëngjes ia dolëm, por ishte thjesht një provë. Kurse, sonte në mbrëmje, ishte vërtet mirë. Kjo do të thotë që kjo orkestër është me të vërtetë e mirë përderisa mund ta realizonin koncertin.
Unë e ndiej kur ata më dëgjojnë dhe si më dëgjojnë. Ndjej madje edhe si ndihen ata. Ishte me të vërtetë një kënaqësi interpretimi i sotëm.
Ç'është kjo lidhje kaq e afërt me muzikën e Shopenit?
E luaj Shopenin sepse unë jetoj në Poloni. Edhe nëse nuk dua, unë duhet ta luaj atë, për të jetuar. E pëlqej, ndonjëherë ndjej kënaqësi të thellë kur luaj krijimet e tij. Por ndonjëherë nuk e kuptoj çfarë po luaj. Nuk është gjithmonë perfekte. Kompozitori im i preferuar është Rachmaninoff. E luaj shpesh dhe mendoj se e ndjej më shumë se Shopenin. Por sigurisht që luaj më shumë Shopenin.
Nuk më vjen keq sepse unë e pëlqej muzikën e tij, por ndonjëherë ndjej se ekziston edhe muzikë tjetër, jo vetëm Shopeni. Njerëzit në Poloni mendojnë se ekziston vetëm ai. Nuk është keq që ata mendojnë kështu, por kam frikë se pas këtij viti, vitit të Shopenit, do të jetë i mjaftueshëm. Gjithkush e ka luajtur muzikën e tij.
"Koncert për piano" ishte romantik dhe i trishtueshëm, interpretimi dukej se përkthente pikërisht këto emocione.
Muzika e Shopenit flet për jetën. Sesa i mungon vendi i tij. Sidoqoftë, kur ai krijoi këtë koncert ishte në Poloni. Pjesa ka të bëjë me admirimin e Polonisë, dashurinë, natyrën. Aktualisht ky koncert është i qeshur, nuk është aq i trishtë si sonatat e tij. Në pjesën e dytë ka buzëqeshje.
Publiku shpesh e ndjen kur në skenë është ngjitur një virtuoz. Po vetë artisti nga e bën dallimin?
Vitin e kaluar Ivo Pogorelich, një nga pianistët më kontroversalë në botë, interpretoi në Varshavë, muzikë të Hajdn, Shopen dhe List. Ai nuk e interpretoi ashtu siç ishte shkuar muzika. Nuk ndoqi interpretimin tradicional. Ai interpretoi në kohë komplet të ndryshme dhe në dinamikë tjetër. Por atmosfera që ai bëri me performancën e tij, ishte e paharrueshme. Kjo ishte një nga perfomancat më interesante që kam dëgjuar.
Sa kohë studion në ditë?
E kam muzikën gjithë kohën në mendje. Nuk mund kesh një kohë të caktuar studimi.. Kohë më parë studioja 5 orë në ditë. Tani është shumë ndryshe. Varet nga nevojat e mia. Nëse ndihem mirë mund të luaj gjithë ditën dhe nëse nuk ndihem mirë mund të luaj vetëm një orë.
Dhe me çfarë ushqehesh nga muzika botërore?
Lexoj librat për kompozitorë të ndryshëm. Ndonjëherë është vërtet e vështirë të gjesh kohë për të lexuar. Për shkak të gjithë gjërave që kam për të bërë. Më pëlqen më shumë literatura sesa biografitë e kompozitorëve. Më pëlqen më shumë poezia, sidomos poezia ruse.
Të ka zhgënjyer ndonjëherë pianoja?
Është njësoj si me makinën. Ndonjëherë unë kam nevojë të bëj atë që pianoja kërkon nga mua. Ashtu si një makinë e keqe.
Pianoja e mirë bën atë që unë dëshiroj të bëj. Mua nuk më duhet të shqetësohem për tingullin, apo gjërat mekanike. Ndonjëherë ka limite. Unë nuk mund të bëj dinamika të ndryshme, apo nuk mund të realizoj disa ngjyrime melodish.
Thuhet shpesh që jeta e një artisti është e vështirë. Ngelet pak kohë për jetën për ta shijuar. Po e jotja si është?
Varet nga artisti. Ka të bëjë më shumë me mendimin, sesa me praktikën.
Praktika duhet për t'i mësuar gjërat përmendësh. Sigurisht që ke nevojë t'i bësh funksionale duart e tuat, por ndonjëherë ato janë në rregull, vetëm mendja nuk është. Kjo është shumë e rëndësishme.
Për sa i përket jetës sime, udhëtoj shumë. Ndonjëherë është vërtet e mbushur me udhëtime, më shumë sesa do më pëlqente. Por më pëlqen të shoh vende të reja. Jeta ime private gjithashtu shkon mirë. Do të martohem pas dy muajsh.
Ka gjëra që të duhet të heqësh dorë?
Nuk mund të merrem me boks (qesh) dhe as me tenis. Është me rrezik. Më pëlqen zhytja, dhe të bëj ski shumë shpejt.
A t'i ka hapur të gjitha dyert talenti?
Mendoj se në ditët tona, talenti është një pjesë e vogël e asaj që duhet për t'u bërë i njohur. Është mirë të kesh një menaxher dhe sponsorë. Kështu funksionon tregu. Vetëm talenti nuk mjafton sot. Gjithmonë mund të bëhet më mirë. Kam një menaxher shumë të mirë në Poloni, dhe im atë është menaxher gjithashtu. Kam edhe një menaxher në Japoni dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.