E Diel, 1 Nëntor 2026

T’i bojkotojmë latinistët izraelitë?

Në janar të vitit 2003, në një Bustinë shfaqja zemërimin tim pse revista angleze ‘The Translator’, e drejtuar nga Mona Baker, përkujdesëse e çmuar e një Encyclopedia of Translation Studies, kishte vendosur (për të protestuar kundër politikës së Sharonit) t’i bojkotonte institucionet universitare izraelite, e për më tepër iu kishte kërkuar dy studiuesve izraelitë, që ishin pjesë e komitetit drejtues të revistës, ta lëshonin vendin e punës. Aksidentalisht, dy studiuesit ishin publikisht në polemikë me politikën e qeverisë së tyre, ama kjo gjë as që i bënte përshtypje Mona Frankut.

Vëreja se duhet bërë një dallim mes politikës së një qeverie (apo tamam mes kushtetutës së një shteti) dhe fermenteve kulturore që e trazojnë një vend. Në mënyre implicite thosha se t’i konsiderosh të gjithë qytetarët e një vendi përgjegjës për politikën e qeverisë së tyre ishte një formë racizmi. Mes atyre që sillen kështu dhe atyre që pohojnë se, duke qenë se disa palestinezë bëjnë atentate terroristike, duhet të bombardohen të gjithë palestinezët, s’ka ndonjë dallim.

Tash, në Torino, është prezantuar një manifest i Italian Campaign for the Academic & Cultural Boycott of Israel në të cilin, gjithnjë për ta censuruar politikën e qeverisë izraelite, pohohet se “universitetet, akademikët dhe intelektualët izraelitë, pothuajse në tërësi, kanë luajtur dhe luajnë një rol të mbështetjes së qeverive të tyre dhe janë bashkëfajtorë të politikave të tyre. Universitetet izraelite janë edhe vende ku realizohen disa nga projektet më të rëndësishme të hulumtimit, me qëllime ushtarake, mbi armët e reja të bazuara në nanoteknologji dhe sisteme teknologjike e psikologjike të kontrollit dhe shtypjes së popullatës civile”.

Për këtë arsye, kërkohet t’i qëndrohet larg pjesëmarrjes në çdo formë të kooperimit akademik e kulturor, të bashkëpunimit apo të projekteve të bëra bashkë me institucionet izraelite; të mbështetet një bojkotim global i institucioneve izraelite në nivel kombëtar e ndërkombëtar, përfshirë pezullimin e të gjitha formave të financimit apo ndihmës për këto institucione.

Nuk pajtohem aspak me politikën e qeverisë izraelite dhe e kam shikuar me shumë interes manifestin e shumë hebrenjve europianë (JCall) kundër ekspansionit të vendbanimeve izraelite (manifest që, me polemikat që ka nxitur, tregon se si ekziston një qasje dialektike mbi këto probleme në botën hebraike, brenda e jashtë Izraelit). Ama me duket i rremë pohimi sipas të cilit “akademikët dhe intelektualët izraelitë, , pothuajse në tërësi, kanë luajtur dhe luajnë një rol të mbështetjes së qeverive të tyre”, ngase të gjithë e dimë se sa intelektualë izraelitë kanë polemizuar e polemizojnë për këto tema.

Duhet të mos e mirëpresim në një kongres filozofie asnjë filozof kinez për faktin se qeveria e Pekinit e censuron Google-n?

Mund ta kuptoj se (për të dalë nga argumenti bezdisës izraelit) nëse merret vesh se departamentet e fizikës në universitetin e Teheranit apo të Pyongyang-ut bashkëpunojnë aktivisht në ndërtimin e bombës atomike të këtyre vendeve, departamentet e fizikës në Romë apo Oxford të preferojnë ta ndërpresin çdo raport institucional me ato vende të hulumtimit. Por s’e kuptoj pse duhet të ndërpriten raportet me departamentet e historisë së artit korean apo të letërsisë antike persiane.

Shoh se në lëshimin e apelit të ri të bojkotimit ka marrë pjesë edhe miku im Gianni Vattimo. Tash ta hedhim hipotezën (për absurditet!) se në disa vende të huaja përhapet lajmi se qeveria Berlusconi po vepron kundër parimit të shenjtë demokratik të ndarjes së pushteteve duke delegjitimuar gjyqësinë dhe mëton ta mbështesë një parti vendosmërisht raciste dhe ksenofobe. A do t’i pëlqente Vattimo-s që, në polemikë me këtë qeveri, universitetet amerikane të mos e ftonin më si visiting professor, e komitetet speciale për mbrojtjen e së drejtës të kërkonin t’i eliminonin të gjitha botimet e tij nga bibliotekat e ShBA-ve? Unë besoj se do ta quante padrejtësi dhe do të pohonte se të bësh kështu është si t’i gjykosh të gjithë hebrenjtë përgjegjës për zotvrasje vetëm pse Sinedrio atë të premte të shenjtë nuk ishte me humor të mirë.

Nuk është e vërtetë se të gjithë rumunët janë dhunues, të gjithë priftërinjtë pedofilë dhe të gjithë studiuesit e Heidegger-it nacistë. Prandaj, çfarëdo pozicioni politik ndaj një qeverie nuk duhet ta përziej një popull dhe një kulturë të tërë. E kjo vlen posaçërisht për republikën e dijes, ku solidariteti mes studiuesve, artistëve dhe shkrimtarëve nga mbarë bota prore ka qenë një mënyrë për t’i mbrojtur, përtej çdo kufiri, të drejtat njerëzore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›