E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështojnë negociatat, 11 studentë në grevë urie

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë: Pas të rinjve fshihen të tjerë

Taulant Muka, kryetar i Lëvizjes Studentore në këtë institucion, ndërkohë që pohon se do të jetë pjesë e grevës së sotme, tregon se ditën e mërkurë dhe të enjte pritet që numri i grevistëve të rritet më shumë. Ai pohon se pjesë e kësaj greve do të bëhet një numër i konsiderueshëm studentësh, por shkak për mospërfshirjen e tyre gjatë këtyre ditëve është periudha e sezonit.

“Nuk duam të shkaktojmë më shumë avari dhe kaos në fakultet, kështu që menduam që ata studentë që do t’u nënshtrohen provimeve gjatë këtyre ditëve t’i bashkëngjiten grevës në vijimësi, për të mos i shtuar fakultetit një problem më shumë”, thotë Muka.

Sipas tij, ambienti ku do të zhvillohet kjo grevë do të jenë ambientet e brendshme të Fakultetit të Mjekësisë.

“Sot kemi marrë mesazh nga sekretaria e dekanit ku na kërkohej të paraqiteshim në mbledhjen që do të zhvillonte dekanati në orën 12.00, për mbylljen me të butë të kësaj çështjeje, por ne nuk pranuam të shkonim, sepse jemi të bindur që do të marrin sërish premtime boshe, pa asnjë ide konkrete për realizimin e kërkesave tona”, sqaroi kryetari lëvizjes studentore në FM.

Sipas tij, në mbledhje ka pasur pjesëmarrje të detyruar, pasi dekani u ka bërë presion, madje ka mbajtur “peng” 7 senatorë për t’i detyruar të firmosin një dokument që ka hartuar vetë ai.

“Me porosi të dekanit të FM, në datën 12 dhjetor 2010, ora 12.00, në godinën qendrore të Fakultetit të Mjekësisë bëhet mbledhja e KSFM. Pjesëmarrja është detyrim ligjor. Mungesa ju ngarkon me përgjegjësi. Nga sekretaria e fakultetit”, shkruhet në mesazh.

Muka pohon se edhe pse kanë marrë kërcënime e presione të shumta janë të bindur më shumë se kurrë të guxojnë duke nisur një grevë urie, e cila do të zgjidhte njëherë e mirë kërkesat e tyre, por që do të shkarkonte edhe dekanin aktual, përgjegjësin kryesor të kësaj situate tragjike.

Reagimi

Nga ana tjetër dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, thotë se më datë 26 nëntor të këtij viti, në këtë institucion u zhvillua një mbledhje e posaçme për të diskutuar mbi kërkesat e studentëve. “Në këtë mbledhje u diskutua gjatë me të gjitha palët, ku përfshihet këshilli studentor, këshilli pedagogjik dhe përfaqësues të lëvizjes studentore të FM dhe ramë dakord që pakënaqësitë apo shqetësimet e tyre do të zgjidheshin sa më shpejt të ishte e mundur. Madje, për këtë kam edhe një dokument të firmosur nga të gjitha palët, çka do të thotë se kjo situatë është diskutuar dhe ne po përgatiteshim të merrnim masat e duhura për përmirësimin e sistemit të FM”, sqaroi Priftanji.

Fill pas kësaj, dekani thekson se edhe mbledhja e djeshme ishte vijim i asaj të datës 26 nëntor, por qëllimi i saj ishte të diskutohej në detaje për marrëveshjen e nënshkruar disa javë më parë.

“Për sa kohë palët e “interesit” firmosën me vetëdijen e tyre, do të thotë se gjithçka po shkon mirë. Vendimi i këshillit studentor është gjithashtu i rëndësishëm, sepse është përfaqësuesi ligjor i studentëve, por për sa kohë kemi rënë dakord të bashkëpunojmë të gjithë së bashku për ta nxjerrë fakultetin nga kjo frymë që është krijuar, një grevë urie nuk do të ishte aspak zgjidhja e duhur e këtij problemi, edhe pse studentët që do të marrin pjesë në të janë vetëm një grup i vogël studentësh”, tha dekani. Ai shtoi se u ka kërkuar disa herë me radhë studentëve të ulen në një tryezë të përbashkët për të diskutuar dhe për të ofruar alternativa për zgjidhjen e kësaj situate, por të rinjtë nuk kanë pranuar, sepse kanë kërkuar edhe praninë e mediave. Sipas tij, mbledhjet zyrtare nuk zhvillohen me dyer të hapura, kështu që edhe prania e mediave do të ishte e tepërt.

“Aludoj se pas studentëve që kanë zgjedhur grevën e urisë si zgjidhjen e vetme që u ka mbetur, fshihen struktura të veçanta të cilat u bëjnë presion të rinjve për të realizuar qëllimet individuale. U bëj thirrje këtyre personave të hyjnë vetë në grevë urie dhe të mos përfshijnë studentët në raste të tilla”, theksoi Priftanji.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›