FRAKSIONI? ËNDËRR NË SIRTAR…
- Autofejton -
Në mars të '91-shit u bëra edhe unë, Mitro Çela nga Përmeti, politikan profesionist! Lashë penën për kolltukun e deputetit. De more de! Deputet në tri legjislatura. Dy herë drejtpërsëdrejti. Në zgjedhjet e 26 majit '96 isha i 42-i në listë. Në atë vit, falë bojkotit socialist, lista e deputetëve të PD-së u zgjat e u bë tërkuzë. Fitova edhe unë! Ndenja plotë 6 muaj! Nuk kisha ndërmend të largohesha! Na përzunë të gjithëve. Ika edhe unë. Sipas Europës me zgjedhje të pranueshme. Sipas kandarit tim: me kryengritje! Kush nuk beson le të lexojë gazetën "Zëri i popullit". Atje janë botuar fjalimet e liderëve socialist and Co. Mos humbisni kohë të shfletoni të gjitha gazetat. Qëmtoni vetëm muajin qershor '97. Kryefjala e mitingjeve ishte: kryengritja popullore! Ndërkohë në Vlorë buçiste kënga: "O djem rrëmbeni pushkëtë, ja vdekje, ja liri...".
Ku na ngeci muhabeti? Te të ndenjurat mbi kolltuk. Thashë të bëj edhe një provë. Vura kandidaturën për deputet në vitin 2005. Kuptohet me “bekimin” e Berishës. Zgjodha Përmetin. Vendlindjen. Humba! Mbeta jashtë dyerve të Parlamentit. Haram! Nuk është keq të jesh deputet! Rroga, po thuaj badihava! Unë, për shembull, në 5-6 vjet ndenja gojëkyçur. Ngrija vetëm kartonin jeshil! Veçse firmën në bordero e kam të plotë… Nuk do harruar pasaporta diplomatike edhe për gruan! Shto kreditë xhaba për shtëpi?! Edhe ndonjë para e “thatë” për telefon, karburant. Së fundi: me para të taksapaguesve, bën edhe viaxho nëpër Europë, për të parë ndynja me sy, de?!
Kur mbeta jashtë borderove shtetërore, thashë t'i kthehem zanatit të vjetër: të fabrikoj llafe. Provova një herë. Provova dy herë. Nuk më ecte. Po pse? Ka shumë arsye. Një qëndron. Sanço Pançoja demokrat! Ha. Rri. Ha përsëri... Lavdi Zotit për këtë demokraci të bukur që na dembelos e na shton dhjamët... Po paratë? Rroftë Parlamenti! E gatuam vetë statusin e deputetit, si mazhorancë, në Tempullin e Demokracisë. Tre vjet marrim gjysmën e rrogës së deputetit dhe një pasaportë shërbimi, pasi sovrani na përjashton me votë nga Parlamenti! Po të jesh deputet, del në pension 55 vjeç, edhe pse burrat shqiptarë dalin 65 vjeç në pension, dhe gratë sokolesha 60 vjeç?! Po të kesh qenë katër vjet deputet, merr 30 për qind të rrogës së deputetit, të patatuar. Po të kesh qenë 6 vjet deputet si puna ime, merr 40 për qind të rrogës së baballarëve të kombit?! Ta themi edhe një fjalë, mes nesh, sepse deputetëve u tërheq kërraba nga vetja. Kur bëja fushatë elektorale në Përmet, si pjesë e opozitës, i bija gjoksit, duke e bërë gropë: “Po të marrim pushtetët ne, demokratët, gjënë e parë që do të bëjmë, do shkulim me dhëmbë e dhëmballë këto privilegje. Do të dalim 60 vjeç në pension, sa edhe gratë?... Fjalët i mori era. Deputetët vuajnë nga amnezia, sëmundja e harresës për politikanët e lartë?! Pasi folëm për vete, nuk është keq të ndjellim kujtime politike. Moda e ditës!
Teatër politik në Teatrin Kombëtar15 shtator 1991. Mot shterpë për bujqësinë. Mot pjellor për politikanët. Partia Demokratike gatuante Kuvendin e saj të Parë Kombëtar. Ishte fiksuar data 27 dhe 28 shtator. Deri në Kuvend kemi edhe disa ditë. Nuk është keq të ndjekim ndonjë konferencë. Sikur ta nisim me konferencën e Tiranës! Për të mos lajthitur vendin e ngjarjes, siç thotë me shumë të drejtë një miku im edhe politikan i lartë, edhe demokrat i orëve të para, le të shfletojmë gazetën "RD".
Koha: E xhuma. 20 shtator 1991.
Vendi: Salla e Teatrit Popullor.
Personazhet: Berisha, Pashko, Ceka, Zogaj. Isha edhe unë.
Skenari: Konferenca e Tiranës. (Konferencat e Tiranës kanë qenë të mbarsura me skena e prapaskena. Kujtojmë konferencën e 1956-s. Mjeshtri i Madh, Shoku Enver, i la shokët të flasin. Hapur. Pa doreza. Të imitojmë shokun tonë Hrushov, liderin e Bashkimit të lavdishëm Sovjetik, që i nxori lakrat dhe e “pushkatoi” Stalinin, pasi i mori perëndia jetën!... Dhe folën shokët. Më mirë dolën ata që heshtën. Pas një muaji të gjithë përfunduan o në hapsanë, o në litar, o në internim?!)
Skenari ishte përgatitur me kujdes. E para foli Merita Shkupi, sekretare e komisionit drejtues. Ylli Vejsiu, kryetar i degës së PD-së për Tiranën, bëri bilancin. Paradë suksesesh. Por edhe objektiva: më shumë femra në PD, më shumë intelektualë. Në fund përshëndeti konferencën Berisha. Ishte i deleguar i qendrës. Spektatorët ngrihu e ulu. Britma. Ovacione. Dy gishtat përpjetë!
- Nuk kam parë mbledhje më madhështore! - tha një militant. - Me ne fitojnë të gjithë! - Fole gabim, - i thashë unë. Kjo parullë ende nuk është gatuar nga Mero Baze! I takon vitit 1996! - Ke të drejtë, - tha militanti dhe bërtiti: Liri-demokraci! Poshtë komunistët!
- Teatër absurd, - tha Edmond Trako, në atë vjeshtë anëtar i komisionit nismëtar të PD-së. - Dega e Tiranës është një moçal! A mund të shkojnë intelektualët atje! Kjo parti, sa kohë të ketë dollibash Berishën, nuk bën prokopi. Unë do të jem një shembull i gjallë! Sot jam me PD-në. Jam një zero me xhufkë! Nesër do të shkoj me partinë e Cekës. Pasnesër, më saktë në vitin 1997, do të bëhem ambasador në Argjentinë! - Po pse? - Sepse kundërshtari ynë i madh sot do të bëhet Kryeministër. Dhe ai, shoku Fatos, që e kërkon koha ta sulmojmë në këto vite, i vlerëson meritokratët. Kur i doli fjala doktorit pe Korçe?!
Midis seancave. Pushim. Aktorët politikë shkrihen në gjirin e spektatorëve delegatë. Nuk do të ishte keq të flasim për ndonjë personazh të dorës së parë, që regjisori, jo pa qëllim, e ka lënë midis spektatorëve. Spektatori më i spikatur është vetë Gramoz Pashko. Ka dy nishane mbi supe: nënkryetar i PD-së, zv.kryeministër i qeverisë Bufi. Nishanin e dytë nuk e mori nga malli, e mori nga halli: për t'i shërbyer popullit! Sa sakrifica bëhen në emër të popullit fukara! Për fat të keq, militantët që janë pjesë e sovranit, jo rrallë nuk e kuptojnë këtë lloj sakrifice!
Midis spektatorëve është edhe ministri i Kulturës, Preç Zogaj, ambasadori i ardhshëm i Suedisë, Shahin Kadareja, ministri i ardhshëm i kabinetit Majko, Arben Demeti, një nga oratorët më të shquar kundër Nanos! (Nuk ma merr mendja që kjo mëri do të zgjatë. Në Shqipëri politikanët kapërcejnë ylberin, sa herë që sovrani ka nevojë për ministra!) Mbi të gjithë spikat portreti i Cekës.
Krejt rastësisht NE (shoku Enver llafoste: rastësia është shfaqje e domosdoshmërisë) u mblodhëm në holl. Kush jemi NE? Pashko, Ceka, Selami, Demeti. Tha Moi:
- Hë mo Mitro! Ty të kemi edhe gazetar! Nuk të duket si çorbë kjo mbledhje! Bën ai Ylli Vesiu për kryetar! Dhe ku? Në Tiranë ku është ajka e intelektualëve! A ia vlen të lësh punët e shtetit, punën për reformën që do të sjellë Çekun e Bardhë, për këtë konferencë alla bolshevike? Peshku është qelbur nga koka. Duhen ndryshime, duhet qilizëm në Parti!
Ndërhyri Eduart Selami. Me takt, si zakonisht: “Nuk ia vlen të diskutosh korridoreve të Teatrit Kombëtar, - tha. - Do të na qeshë historia: duket sikur bëjmë teatër brenda teatrit! Sikur të mblidhemi nga shtëpia jote në darkë?”
Në shtëpinë ku lindi fraksioni21 shtator 1991. Nga ora 20.00 shtëpia e Pashkos gumëzhinte. Disa erdhën si ilegalë: më këmbë. Të tjerët si legalë: me makina e badigardë. Disa të freskët - ne që ishim në opozitë - Ceka, Arben Demeti, Edmond Trako dhe unë. Disa të zverdhur nga punërat e qevos dhe hallet e popullit - pushtetarët e rangut të lartë -Pashko, Preç Zogaj, Genc Ruli etj. Kaloi një orë. Eduart Selami mungonte. - Do vijë? - Nuk do të vijë! - Pse të vijë? - Pse të mos vijë? Duke bërë lojën e kungulleshkave, ra zilja e telefonit. - Alo. Jam Edi! Po flas nga shtëpia e Shahin Kadaresë! Vazhdoni. Ne jemi të zënë… Njëri tha: - Edi ka frikë!... Tjetri ia priti: - Eduart Selami vështron nga e ardhmja: trupin në Amerikë, mendjen në Shqipëri. - Nuk besoj. Ai nuk e honeps Berishën! - Koha do vërtetojë të kundërtën. Do vijë një ditë që Selami, për të fituar karrigen e kryetarit të PD-së, do të qëndrojë nën hijen e Berishës. (Histori politike. Sot me Berishën. Nesër kundërshtar i Berishës. Pasnesër përsëri me Berishën. Të njëjtët personazhe, i sheh në qeveri të djathta, të majta, ose kalimtare. Janë të njohur. Janë mes nesh? Kush? Preç Zogaj, Neritan Ceka etj.)
Foli Preçi. Duke qenë pak psikoanalist, i shkonte për dore puna e ideologut: “Jemi në prag të kuvendit të Partisë. Duhet t'i qëndrojmë Berishës. Tek e tek? Punë pa bereqet. Duhet të bashkohemi. Duhet të krijojmë një fraksion. Kush?... Fillimisht ne që jemi këtu. Nuk ka kundërshtime?... Atëherë urime. Fraksioni u bitis. Tani na duhet një kryetar. Pse? Për dy qëllime madhore. Së pari, të na drejtojë. Së dyti, për të mundur Berishën në Kuvend. Kandidati ynë duhet të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike”.
“Duhet të luajmë me kartën e Cekës!” Kush e tha i pari? Ishin në kor zërat e ministrave. Argumentet? Neritani kishte dy nishane. Vinte nga familje e madhe. Ishte antikomunist. (Nuk kishim të dhëna që një ditë do bëhej ministër në kabinetin e Nanos. Këtë hollësi e mbajti sekret edhe vetë Neritani!) Të gjithë thamë: Po! Vetëm Neritani heshti. Shenjë modestie që e pranonte detyrën e kryetarit, jo për vete, por për hir të demokracisë!
Fraksioni siç e pashë unëSot është lehtë të flasësh për fraksione. Ka të majta. Ka edhe të djathta. Kemi fraksione brenda Partisë Socialiste. Nuk i shohim, sepse për hir të unitetit, nuk dalin kurrë në sipërfaqe. Kemi elementë të fraksionit brenda partive të vogla. Nuk dallohen, mbeten flu, sepse liderët nuk kanë dishepuj. Po në shtator 1991? Asgjë. Kishim vetëm disa citate të Leninit, të Trockit dhe të Ramiz Alisë. Na ndihmojë hapja e Shqipërisë.
Fillim vjeshte 1991. Një delegacion i lartë qeveritar, ishte i ftuar në Romë. E kryesonte Kryeministri Ylli Bufi. Bënin pjesë Pashko, Ruli, Zogaj. Unë u gjenda në Romë. Isha shtruar për një muaj në spital. E pata këtë privilegj, edhe falë zgjedhjes sime si deputet në Tiranë më 31 mars 1991. Dola nga spitali. U bashkova me delegacionin. Pritje e përcjellje. Takuam Andreotin-Kryeministër i Italisë. Kosigën-President. Xhani De Mikelis-ministër i jashtëm dhe homoseksual i vetëshpallur. Papën. Nuk janë objekt i këtij shkrimi. Kush kërkon të shuajë kërshërinë, le të shfletojë kronikat e botuara në shtypin e atyre viteve. Unë do të tregoj ato fakte që nuk gjenden në asnjë kronikë. Ne ishim tre: Preçi, Ruli dhe unë. Dy të parët ministra dhe deputetë. Kaluam disa korridore dhe përfunduam në një zyrë. Deri te dera na shoqëronte Vincenco Palja, prifti ndërmjetës mes Kryeministrit dhe Papës. Nuk kishte derë që nuk e hapte padrja. Midis korridoreve tha: “Do të takoheni me Zakarinë. Dora e djathtë e Andreotit, Kryeministrit të Italisë dhe ideolog i Partisë Demokristiane”.
U hap dera. Para nesh një burrë i gjatë, i hollë, i verdhë si letra e gazetës e prodhuar në Lezhë. (Burokrat thashë në atë kohë. Mason korrigjova veten më vonë.) “Ju njoh mirë,- na tha. - Më ka folur Vincenco Palja, prifti që vuri kollare të kuqe në mes të Tiranës ato ditë shkurti të vitit 1991, kur takoi Ramiz Alinë, për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit! (Në fakt atë vit u shkëmbyen ambasadorët.)… Ha. Ha. Prift më praktik nuk mund të gjesh as në tokë e as në qiell. Unë jam marrë me organizimin e Partisë Demokristiane. Kini ndonjë pyetje?”
- Duhet të ketë fraksione në Parti? - pyeti Preçi.
- Fraksionet kanë rolin e tyre në emancipimin e një partie. Ka shumë teori. Ka edhe shumë përvoja. Unë kam mendimin tim. Fraksionet nuk sajohen. Fraksionet lindin vetvetiu. Më qartë: nuk mjafton të shkruash në statut - lejohet fraksioni. Janë individët ata, që, me aftësitë e tyre, grumbullojnë rreth vetes dishepuj për të krijuar fraksione. Ka parti që nuk e kanë të fiksuar në statut ekzistencën e fraksionit, por kanë fraksione me peshë.
- Sa fraksione duhet të ketë një parti, - thashë unë.
- Nuk ka receta. Ideal do të ishte numri tre.
Një ditë më vonë u takova me Ardit Gjebrenë. Në atë vit student në Romë. Ky më njohu me një vajzë arbëreshe. Fliste shqip. Quhej Mariza Tereza. Ishte sekretare e deputetit Bjondi.
- Shefi im është nënkryetar i Partisë Liberale. Sot kemi Kongres. Doni nga një ftesë?
Ftesat m’i dha mua duke përplasur qepallat. Mua më shkoi goja lëng. Kujtova se e kishte me mua. Ndoshta e bënte nga nostalgjia për dheun e të parëve. Më vonë e pikasa. Nazet prej konke ishin për Arditin! U futëm në sallë. Kongresi i Partisë Liberale kishte filluar. Oratorë para mikrofonit. Oratorë në sallë. Mishmash. Diskutime pa pika e presje. U befasova. Midis seancave na priti Bjondi. (Katër vjet më vonë u bë ministër i Drejtësisë në kabinetin e Berluskonit.)
- Nuk e di, a thotë populli shqiptar, siç thotë populli italian: Çdo e mirë e ka një të keqe! E pe kongresin? Rrëmujë deri në ekstrem. Dhe pse? Sepse fraksionet kanë lulëzuar si kërpudhat pas shiut. Kemi pesë fraksione. Çdo fraksion kërkon të komandojë, duke mos përfillur rregullat e lojës: në komandë është ai që ka shumicën! Fraksionet po e gërryejnë partinë nga brenda.
Dy vjet më vonë Partia Liberale u shua.
Vijon me këto pjesë
1. Pyetje enigmë: A duhet të ketë komunistë në Kryesinë e PD-së?!
2. Përgjigje enigmë: Kryetari i PD-së duhet të zgjidhet nga Kryesia dhe jo nga Kuvendi. (Teza e fraksionit)
3. Arrestimi i Nexhmije Hoxhës dhe “fati” i qeverisë Bufi?!...