E Diel, 1 Nëntor 2026

Orenburgu: Qyteti i dy kontinenteve dhe festivali i filmit

Të shkosh sot nga Tirana në Orenburg është një aventurë e vërtetë. Pasi mbërrin në Moskë do të duhen edhe 1470 kilometra fluturim drejt juglindjes, afër kufirit me Kazakistanin për të mbërritur në aeroportin e qytetit me një histori të veçantë. Avionët e linjës Moskë-Orenburg në ditët e ftohta të këtij fillimdhjetori janë të mbushur edhe me të ftuar të veçantë që shkojnë në festivalin e tretë ndërkombëtar të filmit “Lindje- Perëndim”, klasikja dhe avangarda. Të vjen çudi se si kaq vonë janë kujtuar për të organizuar një festival filmi në këtë qytet. Vetëm tre vjet më parë. Një festival, që titulli “Lindje-Perëndim” i shkon për shtat më mirë se çdo qyteti tjetër në botë. Sepse Orenburgu është ndoshta i vetmi qytet në botë që jeton midis dy kontinenteve (po të kemi parasysh Stambollin). Takon aty njerëz që të thonë fare natyrshëm se gjithë jetën e tyre e kanë kaluar duke punuar në Azi dhe duke jetuar në Europë. Një obelisk gjigant ta kujton këtë fakt. Lumi Ural që kalon mes përmes qytetit dhe vargmalet e Uralit pak më lart, janë kufijtë natyrorë që ndajnë Europën nga Azia. Filloi si një festival i zakonshëm, si qindra e qindra të tjerë që organizohen në çdo cep të botës, por selektorit të filmit Sergej Lavrentiev i erdhën në ndihmë sugjerimet e kritikëve të gazetave kinematografike që erdhën në festivalin e parë për të gjetur formulën magjike të tij. Nga sot e tutje, ai do të jetë festivali i vetëm i filmave që realizohen falë bashkëproduksioneve në Lindje dhe në Perëndim. Sergei, si njohës i rrallë i filmit botëror, pasi lëvizi në shumë festivale nga Valencia në Karlovi Vari e deri në Pusan të Koresë së Jugut, kërkoi dhe solli këtë dimër në Orenburg 11 filma të bashkëprodhuar në të gjithë kontinentet e globit. Vërtet njëmbëdhjetë filma, por nëntëmbëdhjetë vende pjesëmarrës në këto bashkëproduksione. Bashkohet Kina, Franca dhe Koreja e Jugut dhe del filmi “Lumi Duman”. Bashkohet Gjermania me Danimarkën e Norvegjinë dhe del filmi “Max Manus”, apo Kosta Rika, Franca, Spanja e Holanda për të prodhuar “Uji i ngrohtë i oqeaneve” e kështu me radhë deri te filmi i njëmbëdhjetë për të mos përmendur të dyzet filmat e tjerë klasikë dhe avangardistë që jashtë konkursit i ofruan publikut orenburgas në multikinemanë “Kozmos”. Idenë e këndshme të këtij festivali menjëherë e përkrahu Eurimazhi, që organizon këtu seminarin për bashkëprodhimet filmike. E përkrahu Duma Ruse dhe Ministria e Kulturës e Rusisë. E përkrahu dhe guvernatori i Orenburgut. Dhe ja, një festival pa tapet të kuq dhe yje kinemaje, por një festival me ide fisnike me një perspektive të qartë. Më kujtoi paksa Klaudio Gubitosin, kinomekanikun e fshatit Xhifoni, që hap pas hapi ndërtoi një festival të madh që e ktheu pas 25 vjetësh fshatin e tij në një Mekë ndërkombëtare të filmit për fëmijë. Shpesh idetë e “mëdha” lindin nga njerëz të “vegjël”. Nuk besoj në rastësi që ashtu si dy vjet më parë në Karlovi Vari edhe në Orenburg filmi shqiptar dhe tematika shqiptare të zërë kaq shumë vend në takime të tilla kinematografike. Ka diçka më shumë. Në se dy vjet më parë në Karlovi Vari filmat shqiptarë “Mao Ce Dun” dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder” i shoqëronte “Zgjedhja e Lornës” nga vëllezërit belg Darden me Arta Dobroshin në rol kryesor, film që për pak sa nuk rrëmbeu një trofe në Kanë, apo një film grek me tematikë e aktorë shqiptarë, këtu në Orenburg filmat “Gjallë” dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder” ndiqen nga filmi serbo-slloveno-hungaro-francez i regjisorit Srdjan Karanoviç me titullin “Besa” (temë e personazh shqiptar) për të vazhduar me filmin tjetër serbo-gjermano-suedez të regjisorit Oleg Novkoviç, ku shkëlqen interpretimi i aktorit kryesor Uliks Fehmiu, djalit të Bekimit tonë të madh. Mësojmë shumë të panjohura për Orenburgun, por mësojnë dhe spektatorët orenburgas për një kinematografi të vogël që po fillon të njihet në botë. Kritikët e revistave kinematografike të ardhur nga Moska, pasi kanë asistuar në suksesin e filmit “Shqiptari” vetëm gjashtë muaj më parë në Festivalin e Filmit në Moskë, kanë rastin të admirojnë Nik Xhelilajn përsëri në dy filma të tjerë, duke i dhënë të drejtë revistës më të madhe amerikane “Variety” që shkruante se Nik Xhelilajn tashmë e pret një e ardhme e madhe. Në ditët e festivalit nuk mungoi mikpritja tradicionale ruse me vodka dhe ushqime karakteristike, me këngë e valle ruse. Mëson se në rajonin e Orenburgut jetojnë në paqe e mirëkuptim më shumë se dyzet popuj euroaziatikë, që flasin në gjuhën e tyre. Një fshat turistik me godina dhe objekte karakteristike të këtyre popujve e zbukurojnë qytetin. Mëson se qyteti dikur ka qenë kryeqyteti i Kazakistanit, se aty e ka vendlindjen piloti i famshëm Ckallov, që me avionin e tij fluturoi poshtë urave të Shën Peterburgut dhe që për disa vjet i dha emrin e tij edhe qytetit për t’u kthyer si gjithmonë në emrin e tij të parë, ashtu si quhej në vitin 1673 kur u themelua, Orenburg. Sot, vetëm një bulevard i gjerë e i gjatë, si shumë rrugë të tjera, dhe një monument mbajnë emrin e tij. Mëson se aty ka qenë shkolla më e famshme e aviacionit ushtarak që përgatiti kozmonautin e parë të botës, majorin Jurij Gagarin, monumenti i të cilit zbukuron sot qytetin.

Na duhej të vinim në Orenburg për t’u njohur me aktorin më popullor të Rusisë sot, me Euklid Kurdjazisin, që zbukuronte mbrëmjet pas filmave me këngët dhe vallet greke se në dejet e tij rrjedh gjak grek. Sa kënaqësi kur dëgjon se ky aktor dyzetvjeçar me më shumë se dyzet role në film e teatër, pasi ka parë filmat tanë shpreh dëshirën të mësojë më shumë për filmin shqiptar, të mësojë çdo hollësi për Nik Xhelilajn e pse jo, të interpretojë në një film shqiptar. Në mbyllje, juria ndërkombëtare vlerësoi me “Luanin e artë” filmin “Max Manus” të norvegjezëve Joachim Roening dhe Espen Sandberg si filmin më të mirë të festivalit dhe “Lumi Duman” të kinezit Zhang Lu për regjinë më të mirë. Në mbrëmjen intime, pas ceremonisë zyrtare, Zhang Lu, dëshiron t’i bëjë me dije pjesëmarrësit se ai dhe gjenerata e tij janë frymëzuar nga filmat shqiptarë që kanë parë në rininë e tyre. Dyzetetetëvjeçari Zhang Lu i lutet përkthyesit rus t’u thotë të pranishmëve se filmat shqiptarë kanë qenë më të njohurit dhe më popullorët për gjeneratën e tij dhe më të vjetërve. Këtë e themi kudo që shkojmë e kurdoherë që fitojmë (me filmin e fundit “Luja” ka marrë mbi 15 çmime). Për fat të keq të rinjtë e sotëm në Kinë nuk e njohin pothuajse fare këtë lloj filmi. Ata njohin vetëm filmin amerikan e kjo na trishton si mua ashtu dhe Zhang Yi Muin (regjisori i shquar që habiti botën me regjinë e Lojërave Olimpike të Pekinit). Dhe për ta mbyllur atë mbrëmje të ngrohtë, kur jashtë termometri tregonte minus 15 gradë, ai propozon që të këndojmë së bashku, ai në kinezçe e unë në shqip, motivin e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Përmes duartrokitjeve dhe habisë së gazetarëve rus ndahemi me premtimin se Zhangu së shpejti do të vizitojë Shqipërinë. Ndërkohë që selektori i festivalit Sergej Lavrentijev më thotë se vitin që vjen, në festival ai llogarit të ketë filmat shqiptarë “Lindje, Perëndim, Lindje” të Gjergj Xhuvanit dhe “Muaji i mjaltit” të Goran Pasakljeviçit, dy filma të mirë, por që plotësojnë edhe kriterin e festivalit: janë bashkëproduksione. Vitin që vjen, në Orenburg, në qytetin e dy kontinenteve, përsëri filmat shqiptarë do zbukurojnë festivalin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›